Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi pas mbledhjes së deputetëve foli edhe lidhur me kërkesën e SPAK ndaj Kuvendit për heqjen e imunitetit të Berishës.

Bardhi u shpreh se do të votojnë pro çdo kërkese të SPAK në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

“Së pari nuk ka asnjë njoftim. Ne jemi njohur përmes medias për kërkesën e paraqitur nga SPAK. Shkresa që kemi lexuar nga media na ka rikthyer besimin që SPAK e di adresën e Kuvendit dhe njeh edhe detyrimin kushtetues që për çdo masë që i heq lirinë një deputeti të Shqiopërisë do të duhet t’i drejtohet kësaj godine që Kushtetuta i ka njohur pushtetin për të autorizuar çdo masë ndaj një deputeti.

Sa i përket votimit besoj biem dakord të gjithë që qëndrimi jonë dhe i zotit Berisha është që voton pro çdo kërkese që vjen nga SPAK në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.”

Gjithashtu Bardhi i bëri ftesë kryeministri Rama që të respektojë kërkesat e opozitës që të mund të zhvillojnë seancën parlamentare normalisht dhe të votohet edhe kjo kërkesë e SPAK.

“Unë e ftoj Edi Ramën që të përmbushë kërkesat e opozitës, ka disa ditë përpara kohë që ne të kthehemi në një seancë normale dhe të marrim pjesë në votimin e kësaj kërkese.”/tvklan.al