Akuzohen për trafik drogë e grup të strukturuar kriminal

63 vite burg ka kërkuar Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion për anëtarët e grupit të trafikut ndërkombëtar të drogës që drejtohej nga Moisi Habilaj. Në pretencën e paraqitur në Gjykatë, organi i akuzës në përfundim të hetimeve tre vjeçare i gjen 4 të pandehurit e kësaj çështje fajtor për një sërë veprash penale, që nga ‘trafikim i narkotikëve’ e deri te krijimi i grupit të strukturuar kriminal.

Më konkretisht SPAK kërkon dënimin e Moisi Habilajt, që konsiderohet edhe si kreu i këtij grupi, me 18 vite burg. Mbi të rëndojnë akuzat për kryerjen e veprave penale “trafikimi i narkotikëve” kryer në bashkëpunimi, si dhe krijimi i grupit të strukturuar kriminal.

Gjithashtu SPAK në bazë të Ligjit Antimafia ka kërkuar edhe konfiskimin e 22 pasurive të ndryshme që i përkasin Moisi Habilajt dhe familjarëve të tij, të cilat kapin vlerën e 82 milionë lekëve.

Për të njëjtat vepra penale SPAK ka kërkuar nga 15 vite burg edhe për Nezar Seitin, i cili njihet edhe si financieri i grupit, si dhe dy anëtarët e tjerë, Meridian Sulaj dhe Fatmir Minaj.

Gjykimi ndaj tyre ka nisur nga drejtësia shqiptare që në Tetor 2019 dhe është zhvilluar paralelisht me një tjetër proces që është zhvilluar nga drejtësia italiane, e cila ka dënuar Moisi Habilajn me 15 vite e 5 muaj burg.

Vendim ky që nuk është ekzekutuar, pasi në fillim të këtij viti Habilaj u arratis nga banesa ku qëndronte me masën sigurie. Policia italiane e ka shpallur atë në kërkim, pasi nuk e gjeti në banesën e tij në Raguza të Italisë.

Së bashku me Habilajn, Gjykata e Katanias ka dënuar edhe Meridian Sulajn, Nezar Seitin dhe Sabaudin Çelen, si pjesë e të njëjtit grup kriminal.

Sipas dosjes së prokurorisë italiane këta persona kryenin trafikun e drogës nga Shqipëria në drejtim të Siçilisë në Itali.

Për këtë çështje u akuzuan edhe ish-Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri dhe 3 zyrtarë të policisë së Vlorës, të cilët dyshohet se kanë favorizuar aktivitetin e këtij grupi kriminal.

Tv Klan