Prokuroria e Posaçme i ka përcjellë kërkesën Ministrisë së Drejtësisë në lidhje me ekstradimin e Gëzim Çelës, i konsideruar si Baroni i drogës. Ai u ndalua pasditen e të premtes në Kosovë gjatë një operacioni të përbashkët mes policisë shqiptare dhe kosovare. Tashmë pritet që Ministria e Drejtësisë të përpunojë dosjen dhe ta përcjellë në Ministrinë e Drejtësisë në Kosovë.

Kjo procedurë pritet të përfundojë brenda pak ditësh, për shkak të shmangies së procedurës së përkthimit të dosjes, siç veprohet me shtetet e tjera. Më pas Gjykata në Kosovë pritet që të japë vendimin për ekstradimin. Pak ditë më parë Gjykata e Ferizajt i caktoi atij 40 ditë burg, masë që ndiqet si praktike për proceduat e ekstradimit.

55-vjeçari prej 9 vitesh ishte shpallur në kërkim dhe fshihej në Kosovë, duke lëvizur me një identitet të rremë si Bekim Bajraktari. Ai kërkohet për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike, dhe bazën e kishte në zonën e Fushë-Kuqes. Çela kishte edhe mbështetjen e shefit të Komisariatit i cili u arrestua pak kohë më parë me urdhër të SPAK. Ish-punonjësi i forcave speciale nisi aktivitetin e tij kriminal që në vitin 1998 në Itali, aty ku është dënuar në mungesë me 20 vite burg.

Në Shqipëri akuzohet për shumë ngjarje dhe i dënuar në vitin 2014 në mungesë për një laborator për përpunimin e kokainës. Çela u shpall sërish në kërkim si organizator i grupit që u godit gjatë operacionit të finalizuar në Gusht dhe Tetor të këtij viti të koduar “Flakë në det”. Ky operacion parandaloi një tentativë të shkëmbimit të lëndëve narkotike në det të hapur ku mes të arrestuarve kishe punonjës dhe ish-punonjës policie.

Klan News