I drejtohet Kuvendit të japë autorizimin

Pas disa përpjekjeve të dështuara për ta marrë në pyetje si të pandehur për çështjen e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”, SPAK ka vendosur të ndryshojë masën e sigurisë për Sali Berishën nga “detyrim paraqitje” dhe “ndalim të lëvizjes jashtë shtetit”, në “arrest në burg” ose “arrest shtëpie”.

Por për ta bërë këtë, Prokurorisë së Posaçme i duhet autorizimi i Kuvendit. Ndaj këtë paradite në zyrën e kryeparlamentares Lindita Nikolla ka mbërritur kjo kërkesë e firmosur nga kreu i SPAK-ut, Altin Dumani, ku kërkohet nga parlamenti t’i heqë imunitetin deputetit Sali Berisha.

Foto: Kërkesa e SPAK drejtuar Kuvendit për heqjen e imunitetit të deputetit Sali Berisha

Zyra e kryeparlamentares Nikolla njoftoi se ka caktuar mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit për të shqyrtuar kërkesën e SPAK-ut mesditën e së hënës së 18 Dhjetorit.

Procedura parashikon që deputeti, për të cilin kërkohet arrestimi, vihen në djeni dhe ka të drejtën të paraqitet përpara Këshillit, por ky nuk është një detyrim ligjor. Ai mund të përfaqësohet dhe nga avokatët e tij mbrojtës.

Një variant tjetër është dhe ai i dorëzimit vullnetar të mandatit, çka do ta bënte të panevojshme mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin. Në këto kushte, Kuvendi e vendos ne djeni SPAK-un duke u hapur rrugën veprimeve të Prokurorisë.

Tv Klan