Kërkesa është dorëzuar në Ministrinë e Drejtësisë

Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit ka mbyllur hetimet për 8 personat e parë të botës së krimit që vuajnë dënimet në burgjet shqiptare, duke kërkuar për ta izolimin në regjimin e famshëm 41 bis. Emrat e personave që mbahen sekret, janë dorëzuar në muajin Mars, ndërsa do të jetë Ministria e Drejtësisë që do të vendosë nëse kërkesën e prokurorisë do e depozitojnë në gjykatë dhe do të jetë kjo e fundit që do japë vendimin.

Ligji për futjen në izolim të rreptë të krerëve të organizatave kriminale, është në fuqi prej Janarit të 2019-s, por deri tani asnjë prej tyre nuk i është nënshtruar këtij regjimi. Kohëzgjatja e qëndrimit në izolim në burgun e sigurisë së lartë është për një periudhë një vjeçare, që mund të zgjatet sërish me një vit.

Zgjatja e këtij regjimi vendoset kur rezulton se ekziston akoma mundësia që i dënuari apo i paraburgosuri të jetë i aftë për të mbajtur lidhjet me organizatën kriminale, grupin e strukturuar kriminal, apo organizatën terroriste. Qelitë ku pritet të izolohen këta persona janë bërë gati në burgun 313 në Tiranë dhe atë të Peqinit. Sistemi “41 BIS”, një model italian, përfshin të dënuar për rreth 20 vepra të rënda penale, si ajo e akteve terroriste, apo krime të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Tv Klan