“Pronat produkt i trafikut të kokainës nga Amerika Latine”

SPAK ka kërkuar konfiskimin e pasurisë të Valentin Selaj dhe familjarëve të tij nga Lezha. Toka, vila, biznese, llogari bankare, makina, janë disa nga pasuritë që SPAK ka kërkuar t’i kalojnë në pronësi shtetit, mes tyre edhe këto banesa luksoze. Valentin Selaj është një emër i njohur për drejtësinë shqiptare, italiane dhe holandeze.

Nga hetimet e kryera në Holandë ka rezultuar se Valentin Selaj dhe Ilirjan Memia, Florenc Guri, Erion Koleci, Ded Pjetri dhe Jorgo Wajtaszczyk prej disa viteve trafikonin kokainë nga vendet e Amerikës Latine për në portin e Amsterdamit dhe më pas në vendet e tjera të Evropës si Angli, Itali etj. Ndërkohë që gjatë një operacioni Valentin Selajt të zhvilluar në Itali, iu zbulua 97 kg kokainë dhe 16 kg heroinë, ndërsa ai vet u arrestua.

Sipas SPAK nga verifikimet e bëra ka rezultuar një pjesë të pasurive të fituara si rrjedhojë e aktivitetit kriminal dyshohet se Selaj i ka transferuar në Shqipëri duke kryer investime të ndryshme të cilat i kishte vendosur në emër te babait, Vasil Selaj, nënës, Leze Delaj dhe të vëllait Aleks Selaj.

SPAK bën të ditur se nga hetimi i kryer rezulton se asnjë prej familjarëve të tij nuk arrin të justifikojë pasuritë që zotëron, ndaj dhe ka dyshime të arsyeshme se ato janë produkt i aktivitetit kriminal të Valentin Selajt, ndaj dhe ka kërkuar konfiskimin e tyre.

Tv Klan