5 prokurori dhe Policia e Tiranës kërkojnë në KQZ pamjet filmike për krime zgjedhore

Teksa KAS shqyrton ankesat e partive opozitare të bëra për qarqe të ndryshme, prokuroritë e rretheve dhe SPAK vazhdojnë hetimet për krimet zgjedhore. Kryekomisionieri Ilirjan Celibashi ka njoftuar se institucionet ligjzbatuese kanë depozituar në KQZ 10 kërkesa për informacione për procesin zgjedhor për disa qarqe të ndryshme në vend.

“Për zgjedhjet e 25 Prillit 2021 në KQZ janë depozituar 10 kërkesa për informacion dhe 2 vendime për sekuestrime të materialeve zgjedhore nga SPAK dhe Prokuroria Tiranë, Gjirokastër, Pukë, Vlorë dhe Elbasan. Pamje filmike të procesit të numërimit janë kërkuar dhe nga Policia e Tiranës”.

Disa ditë më parë Prokuroria e Përgjithshme ka njoftuar se po verifikon  47 procedime  për krimet zgjedhore.

Në KAS vazhdon rinumërimi i votave për 108 kutitë e hapura të qarkut të Durrës, aty ku LSI pretendon të fitojë një mandat, pasi me një diferencë të ngushtë prej 136 votash e humbi nga Partia Socialiste.

Ndërkohë Kolegji Zgjedhor ka përcaktuar datën 31 për të shqyrtuar ankimimin e PD dhe LSI për qarkun e Gjirokastrës ndërsa në 1 Qershor shqyrtohet ankimimi për qarkun e Vlorës.

Klan News