Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kërkuar kontrollin e banesës së motrave Xhovana dhe Alda Nikolli.
Gazetarja Glidona Daci ka mësuar se Gjykata e Posaçme e ka miratuar kërkesën e SPAK duke urdhëruar kontrollin në banesën e tyre në Elbasan. Aktualisht janë uniformat blu që po kontrollojnë shtëpinë e dy motrave Nikolli në Elbasan.
Sipas të njëjtave burime është urdhëruar edhe kontrolli i automjetit dhe celularëve të motrave.
Motrave Nikolli në verën e vitit të kaluar ju vendos një sasi eksplozivi në derën e banesës ku jetonin me qira. Nga shpërthimi i tritolit u dëmtua banesa e Enea Thomarajt duke e lënë në koma për 3 muaj dhe më pas humbi jetën.
Hetimet kanë zbuluar se shpërthimi me tritol në lagjen “Haxhias” ka patur si shënjestër dy motrat. Në momentin e shpërthimit ato kanë qenë në banesë, por nuk pësuan dëmtime.
Xhovana Nikolli është bashkëjetuesja e Amarildo Xhanej nga Shkodra, të arrestuar në Gusht të 2023 në Vlorë. Ai u kap me armë silenciator, pas informacioneve se do të kryente vrasje në qytetin bregdetar.
Një nga pistat ku po hetohet janë edhe konfliktet e mundshme të vetë Xhovana Nikollit, që krahas lidhjes me të akuzuarin për vrasje, është bërë e njohur përmes videove të publikuara në rrjete sociale. Ndër to ishte edhe një mesazh ndaj Nuredin Dumanit, një tjetër të penduari të drejtësisë.
Këto pretendime bënë që dosja hetimore e kësaj çështje të kalojë në SPAK./tvklan.al