U arrestua për korrupsion, ish magjistratja dhe 9 persona të tjerë dërgohen për gjykim
Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet për gjyqtaren Enkeleda Hoxha dhe 9 të hetuarit e tjerë të dosjes së korrupsionit në burgje. SPAK u ka komunikuar akuzat zyrtarisht dhe ka dërguar për gjykim dosjen e të pandehurve në Gjykatën e Posaçme.
Këta të pandehur akuzohen për “Korrupsion pasiv” dhe “Korrupsion aktiv” të prokurorëve dhe gjyqtarëve.
Enkeleda Hoxha dhe avokati Aldo Tabaku duke bashkëpunuar, sipas SPAK, edhe me persona të tjerë të implikuar ne dosje, janë përfshirë në një skemë kriminale të favorizimit dhe lirimit të të burgosurve nga Gjykata e Krujës. Vlerat monetare që jepeshin nga të burgosurit, nëpërmjet familjarëve të tyre shkonin deri në 12 mijë euro, ndërsa SPAK ka të provuar dy raste të korrupsionit me këtë skemë.
Të hetuar janë gjithashtu: Manuela Mallakuçi, e cila mbante detyrën si sekretare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Krujë, Shkëlqim Korbi, i cili ka qenë ekspert psikiatriko-ligjor pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore, Bledar Petani, Altin Skëndaj, Gazmir Nezaj, Gentjan Nezaj, dhe Isuf Tanuzi.
Në dosjen e Prokurorisë së Posaçme janë një sërë përgjimesh dhe vëzhgimesh ambientale që implikojnë të hetuarit, ndërsa vetë të akuzuarit kanë mbajtur qëndrim mohues. Ndërkohë, për mjekun kardiolog, Edvin Prifti dhe dy infermerë, të cilët dolën rastësisht në përgjime, do të vijojnë hetimet, pasi ka ende shumë veprime hetimore për të kryer.
Klan News