Enkelejda Hoxha akuzohet për lirimin e disa të dënuarve

SPAK dërgon për gjykim ish-gjyqtaren e Krujës, Enkeleida Hoxha dhe 7 bashkëpunëtorët e saj. Ata akuzohen për lirimin e disa të dënuarve për krime të rënda kundrejt ryshfeteve. SPAK bën me dije se në bashkëpunim me policinë ka përfunduar hetimet dhe do ta akuzojë Hoxhën për korrupsion pasiv, kryer në bashkëpunim.

Për gjykim janë dërguar edhe avokati Aldo Tabaku si dhe sekretarja e gjykatës Manuela Mallkuci te akuzuar për veprat penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publik.

Sipas prokurorisë Avokati Tabaku së bashku me gjyqtaren Hoxha në këmbim të parave bënin të mundur lirimin e të burgosurve. Ndërsa sekretarja Mallkuci ndërhynte në hedhjen e shortit, me qëllim që kjo çështje të përfundonte në duart e gjyqtares Hoxha.

Të gjithë këta persona u mbajtën në vëzhgim dhe u përgjuan për muaj të tërë.

Emri i Enkelejda Hoxha është lakuar për lirimin e disa të dënuarve me burg përjetë, mes tyre edhe Endrit Dokles, Genc Tafilit dhe Hekuran Billes. Ky i fundit u ekzekutua më pas në një atentat në Tiranë.

Tv Klan