Prokuroria e akuzon për ryshfet dhe korrupsion, mbyllen hetimet dhe për 4 të tjerë

Prokuroria e posaçme ka përfunduar hetimet për gjyqtaren Mimoza Margjeka dhe grupin që akuzohen për korrupsion pasiv. Sipas SPAK, Mimoza Margjeka, Arben Cara, Nejton Bali, Klaudjo Zhilla dhe Skënder Demiraj akuzohen për korrupsion pasiv i gjyqtarëve në bashkëpunim. Sipas një njoftimi zyrtar nga SPAK, Gjyqtarja Margjeka akuzohet për korrupsion dhe për marrjen e një ryshfeti 6 mijë euro për të liruar një të arrestuar për trafik klandestinësh.

Bëhet fjalë për Orion Balin i cili u lirua nga qelia kundrejt “garancisë pasurore”. Orion Bali për të cilin gjykata e Pogradecit kishte caktuar arrest me burg, apeli i Korçës me vendimin e Margjekës e ka lënë në liri kundrejtë garancisë pasurore prej 500 000 lekësh. Nejton Bali rezulton se është i afërmi i personit që iu ndryshua masa e sigurisë përkatësisht Orion Bali.

Së bashku me Margjekën në atë kohë SPAK mori nën hetim edhe bashkëshortin e gjyqtares, Arben Cara, avokatin e Balit, Skënder Demiraj, vëllanë e të pandehurit Nejton Balin dhe sekserin Klaudjo Zhilla. Seanca e parë për vlerësimin e masës ndaj këtyre personave pritet të bëhet brenda 15 ditëve.

Gjyqtarja Mimoza Margjeka dhe të akuzuarit e tjerë së bashku me bashkëshortin Arben Cara, u arrestuan nga policia me urdhër të SPAK në 9 Shtator të vitit të shkuar, për të cilën u dha masa arrest me burg. Më pas ajo u la në detyrim paraqitje, por prokuroria në seancën e radhës vlerësoi se ajo duhet të qëndrojë në arrest shtëpie.

E njëjta masë është dhënë dhe për bashkëshortin e saj Arben Carën, i cili dyshohet se ka marrë ryshfetin, por dhe për avokatin Skënder Demiraj. Të vetmit që janë në burg janë sekseri Klaudio Zhilla dhe Nejton Bali, i cili akuzohet se ka dhënë ryshfetin.

Klan News