Dërgon për gjykim ish-ministrin Ilir Beqaj, ish-zëvendësin Rrjepaj dhe personat e tjerë

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka mbyllur hetimet për Koncesionin e Sterilizimit dhe ka çuar për gjykim ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ish-zëvendësin e tij, Klodian Rjepaj dhe personat e tjerë të akuzuar. SPAK ka bërë të ditur edhe akuzat zyrtare duke argumentuar dhe përfshirjen e secilit në skemën korruptive.

Prokuroria e Posaçme shprehet se rezulton e provuar se Ish Zëvëndësministri i Shëndetësisë Klodian Rjepaj, në cilësinë e Kryetarit të Komisionit të Dhënies së Koncensionit, është personi i cili ka kryer të gjitha veprimet e përllogaritjeve financiare.

SPAK ka argumentuar disa shkelje të Rrjepajt gjatë dhënies së koncesionit. Prokuroria thekson se gjatë gjithë periudhës përgatitore të projektit, procedurën e tenderimit dhe dhënies së koncensionit deri në firmosjen e kontratës koncensionare, Klodian Rjepaj ka bashkëpunuar ngushtësisht me te pandehurin tjetër në këtë process biznesmenin Ilir Rrapaj, me qëllim shpalljen fitues të operatorëve ekonomikë.
Për këto veprime, të pandehurit Klodian Rjepaj dhe Ilir Rrapaj, provohet se kanë konsumuar elementët e veprës penale të “mashtrimit”. Ndaj ish zëvendësministrit Rjepaj janë ngritur edhe akuzat e “falsifikimit të dokumentave”, e kryer në bashkëpunim, “shpërdorimit të detyrës”.

Ndërsa ish-ministri Beqaj akuzohet se me veprimet e mosveprimet e tij ka miratuar këto shkelje të zëvendësit. Për këtë arsye SPAK e akuzon për “shpërdorim detyre”.

Zyrtarët e tjerë të përfshirë në këtë proces: Marsela Serjani, Saimir Kadiu, Petref Mersini, Arben Gjata, Genc Burazeri, Naile Ajazi përballen të gjithë me akuzat e “falsifikimit të dokumentave”, e kryer në bashkëpunim dhe “shpërdorimit të detyrës”, e kryer në bashkëpunim.

Klan News