Detaje të reja janë zbardhur nga hetimi për kokainën që u sekuestrua të martën në Portin e Durrësit brenda një konteineri me banane që vinte nga Amerika Latine, për llogari të kompanisë “Alba Exotic Fruit”. Kjo është hera e 4 që në konteinerët me fruta të kësaj kompanie është gjetur sasi lënde narkotike. Të 4 procedimet janë bashkuar në një të vetëm dhe dosja ka mbërritur nga Prokuroria e Durrësit në Prokurorinë e Posaçme.

Burime nga SPAK bëjnë me dije se deri në këto momente përveç menaxherit Barjon Gumeni që është arrestuar që në datën 13 korrik të këtij viti dhe shpalljes në kërkim të administratori i firmës Eduart Dauti, nuk kanë ende persona të tjerë të dyshuar që mund të jenë të përfshirë në trafikimin e kokainës. 

Po i njëjti burim bën me dije se ka dyshime të forta që kemi të bëjmë me trafikimin e një sasie me të madhe kokaine, por që është e ndarë në disa sasi me të vogla dhe vendosur në konteiner të ndryshëm në mënyrë që të mund të trafikohej me lehtë pa ngjallur dyshime. Hetuesit e SPAK kontrollojnë me kujdes të gjithë konteinerët që vijë për llogari të kompanive për të cilat ka dyshime se kanë probleme me ligjin.

Sipas policisë, pas peshimit të pakove, rezulton se në konteinerët që vinin për llogari të kësaj kompanisë  u gjetën 7.7 kg kokainë. Ndërkohë të gjithë konteinerët që ka porositur kjo kompani do të kalojnë në sitën e policisë.

Një konteineri që të vije nga Ekuadori në vendin tonë i duhen të parë 2 deri në 3 muaj, ndaj edhe ka dyshime se sasia e kokainës ende nuk ka mbërritur e gjitha dhe mund të jetë në konteinerët që janë rrugës. Duhet theksuar se menaxheri dhe administrator i kësaj kompanie kanë mohuar akuzat që kanë lidhje me trafikimin e lëndës narkotike.

Klan News