Enkeleida Hoxha pezullohet nga KLGJ

Gjyqtarja e Krujës Enkeleida Hoxha, e arrestuar me akuzën e korrupsionit, u mor në pyetje këtë të hënë nga Prokuroria e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit. Ajo u shoqërua gjatë mesditës nga mjediset e paraburgimit ku qëndronte prej 4 ditësh.

Mësohet se gjyqtarja e Krujës është pyetur nga prokurorët për të gjitha akuzat e ngritura ndaj saj pas përgjimeve dhe hetimeve disamujore nga SPAK.

Po ashtu Hoxha është përgjigjur edhe për pretendimet e ngritura nga familjarët e saj, se gjyqtarja ka qenë e kërcënuar për të dhënë vendimet në favor të personave të dënuar me burg.

Ndërkohë që mësohet se Prokuroria e Posaçme i ka shtrirë hetimet edhe në tjetër pistë. Hetuesit e SPAK po verifikojnë edhe transferimet që janë bërë vitet e fundit të të dënuarve në burgun e Fushë-Krujës. Po ashtu burime nga SPAK bëjnë të ditur se po verifikohen edhe transferime të tjera në burgjet e vendit, nëse ka pasur apo jo shkelje.

Lidhur me këtë çështje diskutoi edhe Këshilli i Lartë Gjyqësor, i cili pasi u njoh me vendimin e marrë nga Gjykata e Posaçme dhe relatimin e Komisionit Disiplinor, vendosi pezullimin nga detyra të gjyqtares së Krujës.

Enkeleida Hoxha u arrestua mëngjesin e së enjtes, së bashku me avokatin Aldo Tabaku dhe kryesekretaren e Gjykatës së Krujës, Manuela Mallkuçi. Ata dyshohen se përmes një skeme korruptive kanë pranuar para për të liruar apo ulur dënimin e të burgosurve.

Tv Klan