SPAK merr të pandehur dy ish-gjyqtarët e Kushtetueses


SPAK merr të pandehur dy ish-gjyqtarët e Kushtetueses

15:43 03/08/2021

Ish-kryetari Bashkim Dedja dhe Fatos Lulo akuzohen nga prokuroria e posaçme për deklarim të rremë të pasurisë

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja dhe ish-anëtari i kësaj gjykate Fatos Lulo janë marrë zyrtarisht të pandehur nga SPAK. Organi i akuzës njofton zyrtarisht se ka përfunduar hetimet për Dedjan dhe Lulon duke i akuzuar për fshehje të pasurive. Prokuroria i ka dorëzuar aktet e dosjes në gjykatë dhe pritet që të dalin në seancën paraprake, ku do të vendoset fati përfundimtar i dosjes, nëse do kalojë për gjykim, do pushohet ose do të rikthehet për rihetim në prokurori.

Dedja dhe Lulo janë shkarkuar nga vettingu për mungesë burimesh të ligjshme për të justifikuar pasuritë që kishin krijuar ndërvite. Në Prill të këtij viti gjykata e posaçme miratoi kërkesën e SPAK për sekuestrimin e disa  pasurive të dy ish-gjyqtarëve kushtetues. Prokuroria në bazë të hetimit siguroi të dhëna në bazë të të cilave dyshohet se Dedja dhe Lulo kishin në pronësi pasuri të paluajtshme, të cilat nuk i justifikonin me burime të ligjshme, apo pasuri që i kanë fshehur.

Gjykata i ka sekuestruar Fatos Lulos Njësi/Dyqan me sipërfaqe 172 metra katrorë, e ndodhur në Rrugën e Durrësit, Tiranë. Ndërsa Bashkim Dedjas, apartament, me sipërfaqe 60 metra katrorë, e ndodhur në Golem-Kavajë. Prokuroria e posaçme po kryen verifikime per disa ish-gjyqtarë dhe ish-prokurorë të cilët janë shkakruar nga vettingu për probleme me deklarimin e pasurisë.    

Klan News






Të ngjashme