Prokuroria në bazë të metodave speciale ka ndaluar 171 të dyshuar

SPAK ka publikuar raportin e punës që ka kryer nga Janari deri në Dhjetor të 2020-s. Një detaj tejet interesant që është i zbardhur në raport është se Prokuroria e Posaçme ka përgjuar 1175 autorë të dyshuar apo persona që kanë dijeni për vepra penale. Si rezultat i këtyre metodave special të hetimit janë ndaluar, rreth 171 të dyshuar për kryerje të veprave penale të ndryshme.

Nëpërmjet përgjimeve organi i akuzës ka zbardhur disa çështje korrupsioni, por edhe të trafikut të drogës. Përgjatë vitit 2020, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përdorur metodën e përgjimit për 91 procedime penale. Për periudhën 1 vjeçare Bërthama Komanduese Elektronike në administrim të Prokurorisë së Përgjithshme, ka ekzekutuar në interes të çështjeve penale nën hetim nga SPAK, 391 autorizime të Prokurorit për lejim përgjimi.

Po ashtu Gjykata e Posaçme ka dhënë 157 vendime lejim përgjimi, 344 vendime vleftësimi të përgjimeve dhe në përfundim 442 vendime për zgjatje të afateve të përgjimeve. Zyra e përgjimeve të Prokurorisë së Posaçme, e cila ndodhet në Prokurorinë e Përgjithshme për arsye sigurie. Kjo zyrë është e ndarë në 7 poste dhe aty OPGJ-të kryej detyrën e tyre për llogari të SPAK.

Klan News