Policia e Maqedonisë së Veriut arreston 4 persona

Kamioni me 1.3 ton drogë i nisur nga Italia drejt Maqedonisë së Veriut, duke kaluar nëpërmjet Malit të Zi dhe Shqipërisë, është bërë objekt hetimi edhe në Shqipëri.

Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka nisur hetimet për të zbuluar nëse ka pasur shtetas shqiptarë të përfshirë në këtë trafik.

Ekzistojnë dyshimet se në Shqipëri ata mund të kenë pasur si rol garantimin e kalimit të kamionit me drogë në Han të Hotit, ku është futur nga Mali i Zi dhe në Qafe Thanë ku ka dalë në Maqedoninë e Veriut.

Në të dyja pikat doganore kamioni i ngarkuar me banane nuk është ndaluar nga autoritetet shqiptare, për shkak se ai po ndiqej nga DEA amerikane dhe policia italiane për të parë pritësit e mallit.

Policia shqiptare sqaroi zyrtarisht se ka qenë pjesë e operacionit dhe ka mundësuar kalimin e dërgesës në kushte të plota sigurie dhe konfidencialiteti.

Ngarkesa vinte nga Kolumbia dhe është kontrolluar në Itali, ku autoritetet kanë hequr 1299 kilogramë drogë dhe kane lënë vetëm 1 kilogram.

Në Maqedoninë e Veriut pakoja prej 1 kilogram, që kishte brenda edhe një sinjalizues GPS, u kap në një magazinë në Krushopek të Sarajit.

“Në fshatin e Krushopek të Shkupit, janë kapur vetëm një pjesë nga sasia e përgjithshme, 1 kilogram kokainë, i cili sipas informatave të para është vetëm një pjesë prej një sasie të madhe që është dashur të përfundojë në shtetin tonë. Janë arrestuar katër persona. Pronari i kompanisë “Baneks” dhe djali i tij, një punëtor, dhe shoferi”, tha ministri i Brendshëm maqedonas.

Kompania “Baneks” që kishte porositur ngarkesën me banane, ka importuar 120 herë pemë, e cila në shumicën e rasteve ka ardhur nga Kolumbia dhe një pjesë më e vogël nga Ekuadori.

Tv Klan