Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, u pyet për afro 1 orë e gjysmë nga hetuesit në Prokurorinë e Posaçme këtë të enjte. Ai u shoqërua në orën 10 nga paraburgimi i Durrësit dhe qëndroi në SPAK deri në orën 11:30, ku në prani të dy avokatëve të tij u pyet si person nën hetim për herë të parë, pasi në dhjetor ishte pyetur si deklarues.
Gjatë seancës së marrjes në pyetje, burime konfirmojnë se hetuesit i kanë komunikuar atij edhe nisjen e hetimeve për akuzën e mbajtjes së sendeve të palejuara në paraburgim, pas dyshimeve për përdorimin e një telefoni celular.
Mbi këto rrethana të reja të hetimit, avokati i kryebashkiakut Ermir Beta tha për Tv Klan se përpara prokurorëve ata nuk kanë dhënë shpjegime dhe nuk kanë mbajtur një qëndrim.
Prokuroria e Posaçme është duke vijuar me hetimet në kuadër të dosjes ku Veliaj është vënë nën hetim për akuzën e korrupsionit dhe pastrimit të parave.
Po në kuadër të këtyre hetimeve të mërkurën u mor në pyetje sërish si person nën hetim edhe biznesmeni Elman Abule, i cili ka mohuar akuzat. Të martën u mor në pyetje nga hetuesit edhe Alan Dokushi, Sekretari i Përgjithshëm i Bashkisë së Tiranës.
Klan News