Prokurorë, drejtues të lartë policie, biznesmenë dhe peronazhe të njohur të botës së krimit janë arrestuar me urdhër të SPAK. U janë vënë në prangat drejtuesit të Prokurorisë së Kukësit, Xhevahir Lita, ish-drejtorit të Forcës së Posacme Operacionale, Oltion Bistri, biznesmenit Pëllumb Gjoka, ish-shefit të Krimit të Organizuar në Policinë e Shkodrës, Ardit Hasanbega dhe personazhë të njohur të botës së krimit.
Urdhër-arrest është firmosur edhe për bosin e lojrave të fatit, Ervis Martinaj që rezulton i zhdukur që prej datës 9 Gusht të vitit të shkuar. SPAK për të ka firmosur urdhër-arrestin e dytë si i përfshirë në ngjarje të rënda kriminale. Gjithçka është zbuluar nga të dhënat që janë përfituar zbërthimi i aplikacionit “Sky”, në një celular ndërsa në total SPAK ka lëshuar 15 urdhër-arreste.
Operacioni është zhvilluar në disa qytete të vendit si Tiranë, Shkodër e Kukës. Polica ka ushtruar kontrolle banesash dhe ka vënë në pranga disa persona. Burime bëjnë me dije se u sekuestruan armë, paruke e maska që dyshohet se janë përdorur në atentate mafioze.
Sipas burimeve, Ervis Martinaj dyshohet se është i implikuar bashkë me biznesmenin Pëllumb Gjoka, shoferin e këtij të fundit, Edmond Preka dhe Behar Bajrin, në vrasjen e Gjin Ndoj Boriçit në 9 Gusht të 2020, në e Vaun e Dejës. Ngjarja ishte pa autor dhe në atë kohë u ngritën dyshime edhe për gjakmarrje.
Në këtë ngjarje rezulton i përfshirë edhe ish-prokurori i Shkodrës Xhevahir Lita që në atë kohë ka qenë prokurori i çështjes.
Biznesmeni i lojrave të fatit, Ervis Martinaj dyshohet edhe se ka siguruar kushtet për të kryer vrasjen e shtetasit Kleant Musabelliu. Ndërsa krahu i tij i djathtë, Eljon Hato, i shpallur në kërkim, dyshohet për vrasje me paramendim të mbetur në tentativë në dëm të Taulant Pepës. Sipas burimeve, prokurori Lita dyshohet të jetë i përfshirë në këtë çështje pasi ka mbyllur dosjet në mënyrë të paligjshme.
Astmer Bilali, anëtar i grupit të Bajrave të Shkodrës dhe Ardit Hasanbega, ish-zyrtar i policisë në Shkodër, dyshohet se kanë ndihmuar për të vrarë Dorian Dulin dhe Ibrahim Licin, ky i fundit kundërshtar i përbetuar i Bajrave.
Ish-drejtori i Forcave të Posaçme Operacionale, Oltion Bistri dyshohet për shpërdorim detyre dhe nxerrje të akteve sekrete, në lidhje me këto ngjarje. SPAK dhe Policia e Shtetit ende nuk kanë bërë një reagim zyrtarë në lidhje me këto çështje.
Klan News