SPAK zbardh vrasjet e Vajdin Lames dhe Klodian Saliut



SPAK zbardh vrasjet e Vajdin Lames dhe Klodian Saliut

18:48 08/12/2020

Akuzohen Emiljano Shullazi dhe Lul Berisha

Prokuroria Kundër Krimit dhe Korrupsionit ka zbardhur dy atentate mafioze te ndodhura 15 vite më parë, duke vënë nën akuzë personazhe të njohur të botës së krimit.

Ngjarja më e bujshme ishte vrasja me tritol në ashensorin e pallatit ku banonte biznesmeni Vajdin Lame dhe të Artan Arsit, më 27 Shkurt 2005.

Si organizatorë dhe ekzekutorë, SPAK akuzon Emiljano Shullazin, Lulzim Berishën, Plarent Dervishin, Indrit Taullain, Viktor Ymerin, Luftar Reçin dhe Indrit Rusin.

Shullazi ndodhet në burg duke vuajtur një dënim prej 14 vitesh nga Gjykata e Shkallës së Parë për “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie” dhe grup i struktuaruar kriminal. Taullai u arrestua dy ditë më parë në Prizren, ndërsa Viktor Ymeri dhe Indrit Rusi u prangos këtë të martë.

Indrit Taullai u dënua me 25 vite burg si anëtar i bandës së Durrësit dhe u lirua me kusht para pak kohësh. Ndërsa Viktor Ymeri, që njihet si ish-anëtar i bandës së Gaxhait në Vlorë, është dënuar për dy vrasje në vitin 1999. Mësohet se për zbardhjen e këtyre ngjarjeve hetuesit janë ndihmuar nga dëshmia e Luftar Reçit që ka treguar edhe rolet e personave të përfshirë. Ky i fundit është dënuar me 25 vite burg pasi vrau dhe më pas dogji trupin e Maksim Lalës në rrugën Milot-Burrel.

Lulzim Berisha e Plarent Dervishi janë shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Ata dyshohen se janë jashtë territorit shqiptar dhe policia thotë se po punon me partnerët për lokalizimin dhe arrestimin e tyre. Berisha u dënua me 25 vite burg i cilësuar si kreu i bandës së Durrësit, i akuzuar për disa vrasje dhe grup të strukturuar kriminal, ndërsa Dervishi njihet si krahu i djathtë i tij.

Ngjarja e dytë është ekzekutimi Klodian Saliut, teksa udhëtonte me makinë në autostradën Durrës – Tiranë në 26 Shkurt 2005, një ditë përpara vrasjes së Lamajt në Tiranë.

Prokuroria e Posaçme thoë se të përfshirë në atentat janë Lulzim Berisha, Plarent Dervishi, Indrit Taullai, Luftar Reçi dhe Indrit Rusi, thuajse të gjithë ata që organizuan dhe zbatuan atentatin ndaj Lames, përveç Emiljano Shullazit dhe Viktor Ymerit.

Të gjithë këta persona akuzohen për disa vepra të rënda penale, si ajo e “vrasjes me paramendim” kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “mbajtjes pa leje të armëve luftarake me pasoja të rënda”, si dhe “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, kundër dy ose më shumë personave.

Tv Klan






Të ngjashme