Shefi i Policisë Rrugore Tiranë, Roven Zeka dhe dy vartësit e tij, morën 2 mijë Euro ryshfet, për të lehtësuar pozitat e një shofereje me inicialet A.V të përfshirë në një aksident në kryeqytet më 16 Prill, ku të plagosur lehtë mbetën 5 persona.
Në njoftimin zyrtar të SPAK, thuhet se kjo skemë korruptive për të cilën dyshohen 3 zyrtarët e Policisë Rrugore Tiranë, është zbuluar gjatë veprimeve hetimore të një tjetër procedimi penal, të hapur në vitin 2023.
Për këto dyshime, SPAK thotë se ka administruar përgjime, pamje filmike, si dhe mesazhe telefonike.
Në to pasqyrohen takimet e bashkëshortit të shoferes, me inicialet së favorizuar dhe oficerit të policisë, Edison Tabaku të vënë në pranga.
Pikërisht ky oficer, ka luajtur dhe rolin e ndërmjetësit me eprorët e tij, që sipas SPAK kanë marrë ryshfet me qëllim lehtësimin e pozitave të shoferes së përfshirë në aksident, e cila është hetuar në gjendje të lirë.
Oficeri i policisë, Edison Tabaku është lënë në burg këtë të hënë, ndërsa dy eprorët e tij, pritet të dalin të martën në gjyq, ku do tu komunikohet masa e sigurisë për veprën e korrupsionit.
SPAK thotë se krahas ekzekutimit të 3 urdhra ndalimeve për zyrtarët e rrugores, janë sekuestruar 26 mijë Euro dhe 25 milionë Lekë.
Tv Klan