Avionë europianë u vijnë në ndihmë për shuarjen e flakëve, opozita kritikon Erdogan për situatën

Avionë nga Spanja dhe Kroacia i janë bashkuar betejës së autoriteteve turke për të shuar zjarret masive që kanë përfshirë të gjithë vendin.

Ato do të luftojnë me flakët bashkë me ekipet nga Rusia, Irani, Ukraina dhe Azerbajxhani pasi Turqia kërkoi edhe mbështetjen europiane.

Kryetarët e qyteteve turistike të Bodrumit dhe Antalias kërkojnë më shumë ndihma ndërsa zjarret janë ndezur pranë brigjeve të Mesdheut dhe Egjeut.

Duke iu përgjigjur kritikave se qeveria kishte refuzuar disa ndihma ndërkombëtare, Ministri i Jashtëm Mevlut Cavusoglu deklaroi se Turqia kishte vlerësuar shumë propozime por ata zgjodhën t’i japin prioritet  avionëve dhe helikopterëve të cilët ndihmojnë në shuarjen e flakëve.

Partitë opozitare kanë kritikuar Presidentin Tayip Erdogan dhe mijëra njerëz gjithashtu dolën në mediat sociale duke bërë thirrje që Erdogan të japë dorëheqjen, ndërsa të tjerët kritikuan mënyrën si po përballet vendi me këtë emergjencë.

Autoriteti i mediave në Turqi u ka bërë thirrje transmetuesve se mbulimi negativ i zjarreve nga mediat mund të inkurajojë “një atmosferë kaosi”, duke dëmtuar moralin e publikut dhe zjarrfikësve.

Klan News