Plani i cili do të hyjë në fuqi të mërkurën, po has kundërshtime nga opozita pasi mund të dëmtojë turizmin

Qeveria e Spanjës ka deklaruar se plani për të kursyer energjinë nuk do të shtyhet dhe është i detyrueshëm, pavarësisht thirrjeve nga opozita dhe krerët rajonalë që ai të ndryshohet ose të hiqet nga frika se mund të dëmtojë turizmin.

Plani, i cili do të hyjë në fuqi të plotë të mërkurën dhe kërkon mbylljen e ajrit të kondicionuar në hotele, restorante dhe dyqane dhe kufizime në ndriçim, synon që të kursehet deri në masën 5% energjia në të gjithë vendin.

Muajin e kaluar, vendet e BE ranë dakord të reduktojnë vullnetarisht përdorimin e gazit me 15% për t’u përgatitur për një mbyllje të furnizimit rus. Vende si Spanja dhe Polonia që argumentojnë se kanë një aftësi të kufizuar për të eksportuar gaz në fqinjët e BE-së mund të kërkojnë një objektiv më të ulët prej rreth 7%.

Qeveria ka bërë të ditur se ato rajone që nuk janë dakort me këtë plan mund të japin propozime të reja dhe konkrete përpara 31 Gushtit. Rajonet e mbajtura nga Partia Popullore e krahut të djathtë, si Madridi, thonë se plani ishte një barrë shumë e rëndë për ekonomitë e tyre. Partitë Popullore i kanë kërkuar zyrtarisht qeverisë të tërheqë dekretin mbretëror të miratuar javën e kaluar.

Sipas tyre ky dekret është përgatitur pa matur ndikimin ekonomik në tregti, turizëm apo kulturë. Kryeministri Pedro Sanchez i bëri thirrje Partisë Popullore në vend që të tregojë unitet, përgjegjësi dhe solidaritet duke mbështetur planin.

Ndërkaq Greqia në fillim të javës së kaluar bëri të ditur se një rezervuar i ri për ruajtjen e gazit natyror të lëngshëm në perëndim të Athinës, pjesë e planit të qeverisë për të ulur varësinë e saj nga Rusia do të jetë gati së shpejti.  Që në momentin e parë qeveria greke ka ndërmarrë veprimet e nevojshme për t’u mbrojtur nga skenari i ndërprerjes së furnizimit me gaz natyror nga Rusia këtë dimrin e ardhshëm.

Greqia ka rritur importet e gazit të lëngshëm në gjashtë muajt e parë të vitit, duke zëvendësuar një pjesë të madhe të karburantit rus.  Qeveria greke ka subvencionuar faturat e energjisë për konsumatorët për disa muaj për shkak të rritjes së çmimeve të energjisë, por tha muajin e kaluar se kundërshton një plan të BE-së që vendet të ulin përdorimin e gazit me 15% deri në Mars.

Klan News