Spanja lëshon një alarm ndërkombëtar për mishin e grirë. Kompania “Seville”, e cila tregton produkte nën markën “La Mecha”, është kthyer në një problem serioz.

Produktet dhe nënproduktet e kësaj kompanie janë konstatuar të kontaminuara dhe kanë agravuar deri në atë pikë sa alarmi për epideminë e Listeriozës, është kthyer në makth për qytetarët.

Në Spanjë ka rreth 500 raste të dyshuara, nga ku një grua 90-vjeçare ka gjetur vdekjen dhe rreth 50 njerëz janë në spital, duke përfshirë këtu edhe 23 gra shtatzëna.

Ky është një infeksion, i cili shkaktohet me konsumimin e ushqimit të kontaminuar me bakterin Listeria Monocytogenes.

Ministrja e Shëndetësisë, Maria Luisa Carcedo njoftoi se Komisioni Evropian dhe Organizata Botërore e Shëndetit janë bërë të vetëdijshëm për situatën dhe padyshim do merren masa për produktet e “La Mecha”.

Simptomat e Listeriozës janë kryesisht ethet, dhimbjet e muskujve, diarre, dhimbje koke, mpirje qafe, konfuzion, humbje ekuilibri, ngërç e shumë të tjera. Listerioza trajtohet me antibiotikë, por ky infeksion duhet të merret shumë seriozisht, pasi shkalla e vdekshmërisë tek të infektuarit është nga 20-30 %.

Klan Plus