1.5 milionë të infektuar në botë

Arrin një rekord të ri numri i të prekurve nga koronavirusi në gjithë botën.

Këtë të enjte u numëruan 1.5 milionë të prekur dhe 90 mijë viktima. Në Itali numërohen 100 mjekë të vdekur nga Covid-19.

Koronavirusi arriti një rekord të ri botëror të prekurish këtë të enjte, prej 1.5 milionë njerëzish që prej nisjes së pandemisë. Në gjithë botën aktualisht numërohen afro 90 mijë viktima teksa 22% e të prekurve janë shëruar.

Shifrat megjithatë tregojnë se përhapja globale po vijon me ritme tepër të shpejta. Problemi kryesor aktualisht janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që kanë edhe numrin më të lartë të të prekurve mbi 435 mijë njerëz dhe afro 14 800 viktima. Ndryshe nga shumë vende europiane, në Shtetet e Bashkuara, ritmet e përhapjes ende nuk kanë shfaqur shenja ngadalësimi.

Shumë politikanë dhe ekspertë ia venë fajin presidentit amerikan Donald Trump që nuk ka pranuar të vendosë masa të ashpra kundër përhapjes si në gjithë botën.

Ndërsa shefi i Shtëpisë së Bardhë akuzoi Organizatën Botërore të Shëndetsisë, që sipas tij i ka dhënë këshilla të gabuara. Por kreu i OBSH-së akuzoi presidentin amerikan për politizim të situatës.

Spanja dhe Italia që renditen pas Shteteve të Bashkuara vijojnë të tregojnë qëndrueshmëri në vënien nën kontroll të pandemisë. Spanja shënoi 683 të vdekur në 24 orë, një nivel i njëjtë prej disa ditësh. Në Itali ka arritur në 100 numri i mjekëve që kanë ndërruar jetë nga infektimi me koronavirus, ndërsa mbi 12 pjesëtarë të personelit mjekësor rezultojnë të prekur.

Edhe në Turqi shifrat e koronavirusit po shtohen me ritme të shpejta. Deri tani kanë humbur jetën 812 persona dhe mbi 38 mijë të tjerë rezultojnë të infektuar.

Tv Klan