Ankthit për fatin e 629 emigrantëve të mbetur prej ditësh në det të hapur pas refuzimit të Italisë për t’i pritur, i dha fund kryeministri spanjoll Pedro Sanchez.

Kreu i sapo zgjedhur i qeverisë urdhëroi ankorimin e anijes Akuarius në portin e Valencias. Është detyrimi ynë që të shpëtojmë jetët e këtyre njerëzve dhe të shmangim një katastrofë humanitare, tha kryeministri sapnjoll.

Alarmin për situatën e rëndë të emigrantëve e ngriti edhe organizata “Mjekët pa Kufij”, që njoftoi se anija akuarius ka rezerva ushqimore edhe për 1 ditë. Shefi i OKB-së Antonio Guterrez shprehu gjithashtu shqetësimin për indiferencën që po shfaq Bashkimi Europian.

Pranimi i 629 emigrantëve nga Spanja është përshëndetur nga qeveria italiane. Kryeministri Xhuzepe Konte falenderoi Madridin.

Fitore personale e ishte për ministrin e brendshëm Matteo Salvini. Kreu i Lega Nord, zëri kryesor pro ashpërsimit të masave për emigrantët, përshendeti vendimin Spanjës, duke thënë se ngritja e zërit shpërblehet. Ministri i brendshëm akuzoi Francën, Austrinë dhe Maltën se i kanë kthyer shpinën Italisë, duke refuzuar çdo lloj ndihme.

Më herët Salvini akuzoi edhe organizatat jo-qeveritare holandeze e gjermane të angazhuara në misionet e shpëtimit, se po bëjnë biznes me jetët e njerëzve.

Anija Akuarius, e nisur nga brigjet libiane, u ndalua të ankorohej në portin e Siçilisë. Asaj iu refuzua ankorimi edhe në portet malteze, duke vënë në rrezik serioz jetët e emigrantëve.

Tv Klan