Kombëtarja stërvitet me radiomarrëse, Enrique urdhëra nga lartësia

Metodat inovative nuk kanë të ndalur për stafin e trajnerit të Spanjës, Luis Enrique. Tekniku i ‘La Roha’ ka tërhequr vëmendjen me mënyrën e re të stërvitjes së skuadrës, në prag të dy ndeshjeve të radhës në Ligën e Kombeve ndaj Zvicrës dhe Portugalisë.

Fillimisht, Enrique ka kërkuar instalimin e një kulle në pikën më të lartë të stadiumit ku skuadra kryen stërvitjet, në mënyrë që të mund të vëzhgojë seancën nga lartësitë. Ai gjithashtu kishte një ekran gjigant të instaluar pranë fushës së stërvitjes, në mënyrë që të mund të bënte analiza video në mënyrë të shpejtë dhe në detaje gjatë stërvitjes.

Por ajo që tërhoqi vëmendjen e të gjithëve ishte përdorimi i një radiomarrëse nga ana e trajnerit, që fliste direkt me lojtarët në stërvitje. Në jelekun e GPS që mbanin lojtarët, ishte instaluar një radio nga e cila Enrique jepte instruksionet e tij për situata të ndryshme.

Enrique shpreson që përmes teknologjisë të ketë më shumë nën kontroll lojtarët e tij dhe të rris aftësinë e komunikimit me ta. Një zhvillim shumë interesant që sigurisht pritet të gjej përhapje të gjërë edhe tek ekipet e tjera. Kjo zgjidhje mund të jetë tepër frytdhënëse për Spanjën si në dy ndeshjet e radhës, ashtu edhe në Kupën e Botës, ku shpreson që të rikthehet kompetitive dhe t’ia dalë për të triumfuar pas një mungese 12 vjeçare në shkallën më të lartë të podiumit.

Klan News