Spanja parakalon Italinë si vendi që ka pritur më shumë emigrantë nga deti, që nga fillimi i këtij viti.

Sipas përllogaritjeve të fundit nga Organizata Ndërkombëtare e Migracionit, prej muajit Janar në vendin iberik kanë mbërritur më shumë se 18 mijë emigrantë, një pjesë e mirë e tyre të shpëtuar në operacionet e shpëtimit në det.

Pothuajse i njëjti fluks emigrantësh kanë mbërritur edhe në Itali, 17,800. Por me ardhjen në pushtet të qeverisë populiste në muajt e fundit, Italia mbylli portet.

Rast i kundërt ishte ai me Spanjën, ku pas ardhjes në krye të qeverisë së Kryeministrit socialist Pedro Sanchez, vendi ofroi ndihmë më të madhe për ardhjet nga Afrika Veriore, sikurse ndodhi me anijen Akuarius që pas bllokimit nga Italia u ankorua në portin e Valencias.

Sakaq, një organizatë joqeveritare spanjolle që monitoron ujërat e Mesdheut, denoncoi se qeveria libiane ka lënë të mbyten dy gra dhe një fëmijë, pasi ka refuzuar t’u japë ndihmë.

Ministri i Brendshëm italian, Matteo Salvini, figura kryesore pro ashpërsimit të masave për emigrantët, reagoi në rrjetet sociale duke përsëritur planin e tij se zgjidhja duhet të vijë në vendet e origjinës.

Tv Klan