Spanja është në gjysmëfinalet e Euro 2020. Kombëtarja “La Roja” bëri gjithçka mirë në ruletën ruse të penalltive, teksa fitoi me shifrat 3-1 përballë Zvicrës së shqiptarëve. Pikërisht një futbollist me origjinë shqiptare, Xherdan Shaqiri bëri që sfida t’i drejtohej shtesave dhe më pas 11-metërshave, pasi zhvlerësoi autogolin e Zakaria, që më parë kishte kaluar në avantazh Spanjën. Mbrojtësi ishte fatkeq tek devijimi i goditjes së Jordi Alba për të realizuar autogolin e 10-të në këtë Europian, një rekord për kompeticionin.

Minutat e mbetura prodhuan emocione të mëdha, por jo fitues, me dy Kombëtaret që iu drejtuan 30 minutave të kohës shtesë dhe më pas penalltive. Aty gabuan thuajse të gjithë me radhë falë reagimeve të portierëve. Por spanjollët u treguan më të saktë, për të qënë ajo në raundin gjysmëfinal. Në favor edhe historia, pasi Spanja bëhet Kombëtarja e gjashtë që kualifikohet më tej dy herë brenda një turneu, pas kohës shtesë ose penalltive. Në 5 rastet e mëparshme, ekipi që e ka bërë një gjë të tillë ia ka arritur të triumfojë dhe tek kjo besojnë edhe spanjollët.

Në raundin tjetër, Spanja pret fituesin e duelit të mbrëmjes Itali-Belgjikë.

Klan News