Spanja vendos shtetrrethimin



Spanja vendos shtetrrethimin

23:10 26/10/2020

Nga ora 23:00 deri në 06:00 mbyllen lokalet dhe ndalohet lëvizja

Spanja ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme për shkak të rritjes së rasteve me Covid, duke bërë që autoritetet të vendosin shtetrrethim, i cili hyn në fuqi që sot. Duke filluar nga ora 23:00 e deri në orën 06:00 të mëngjesit të gjitha lokalet, baret, restorantet etj do të qëndrojnë të mbyllura.

Kryeministri Pedro Sánchez deklaroi se edhe udhëtimet midis rajoneve do të ndalohen. Sipas kreut të qeverisë rregullat e reja do të zgjasin për të paktën 15 ditë.

Spanja u godit rëndë gjatë valës së parë të pandemisë në fillim të këtij viti dhe në atë kohë vendosi një bllokim shumë të rreptë. Si shumë vende të tjera evropiane edhe ajo është goditur këtë here nga një valë e dytë e infeksioneve.

Më shumë se 17 rajone të Spanjës kanë vendosur kufizime më të rrepta dhe masat e fundit do të zbatohen për të gjitha rajonet.

Në Itali, kufizimet e reja hyn në fuqi që të dielën. Të gjitha kinematë, pishinat, teatrot, palestrat janë mbyllur. Baret, restorantet dhe kafenetë do të ndalojnë shërbimin që në orën 18:00. Ndërkaq dyqanet, supermarketet, farmacitë do të vazhdojnë të punojnë. Sipas masave të reja, pjesa më e madhe e shkollave do të zhvillojnë mësim online.

Kryeministri Guissepe Conte në një dalje publike përsëriti se një bllokim i plotë kombëtar nuk ka për të ndodhur pasi do të ishte edhe një tjetër humbje shumë e madhe ekonomike.

Ndërkohë Franca në 24 orëshin e fundit arriti pikun, me 52,010 raste të reja të prekurish, më shumë se një ditë më parë.

Rastet e reja e çuan totalin e të infektuarve në 1,138,507, duke e vendosur Francën tani përpara Argjentinës dhe Spanjës për t’u bërë vendi i pestë për rastet, pas SHBA-së, Indisë, Brazilit dhe Rusisë.

Raste të larta ka regjistruar edhe Mbretëria e Bashkuar me mbi 19 mijë raste. Kritike mbetet situata edhe në Çeki ku spitalet janë duke plotësuar kapacitetet e tyre. Ndërkaq Kryeministri i Bullgarisë, Bojko Borisov, ka rezultuar pozitiv me Covid-19 dhe aktualisht ndodhet i izoluar.

Tv Klan




Të ngjashme