Gjatë qëndrimit të tij në Madrid të Spanjës, Kryeministri Edi Rama është takuar me Mbretin Felipe VI.

“Me Mbretin Felipe VI dhe më pas me investitorë e operatorë turistikë, në panairin global të turizmit “FITUR Madrid”, ku Shqipëria gëzon një vëmendje të veçantë si supriza befasuese e sezonit të kaluar”, shkruan Kryeministri në një postim në rrjetet sociale.


Një ditë më parë, Kryeministri Rama pati një takim edhe me homologun e tij spanjoll, Pedro Sánchez. Ky i fundit në një postim në rrjetet sociale vlerësoi progresin e Shqipërisë.

“Sot pasdite u takova me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Qeveria e Spanjës njeh progresin e bërë nga Shqipëria në rrugën e saj drejt BE-së, duke e vendosur atë në ballë të procesit të hapur të integrimit në Ballkanin Perëndimor”, shkruajti Sánchez.


Shqipëria nisi sot promovimin ndërkombëtar si një destinacion unik turistik me pjesëmarrjen në panairin gjigand të turizmit “FITUR 24”, organizuar nga IFEMA Madrid, i cili është pika globale e takimit për profesionistët e turizmit nga mbarë bota dhe ku Shqipëria prezantohet me diversitetin e pasur turistik të zonave të saj.

Në një intervistë për mediat atje, Kryeministri Edi Rama u shpreh se viti 2024 do ketë një numër akoma më të lartë të turistëve në vendin tonë, duke theksuar se “Shqipëria sot është diçka krejt tjetër, në sytë e të gjithëve.“ Ai foli pozitivisht dhe për marrëdhëniet Shqipëri-Spanjë (Lexo më shumë)./tvklan.al