Arrestohen 8 persona, disa prej të cilëve të njohur për lidhje me krimin e organizuar

Policia spanjolle ka sekuestruar 720 kg kokainë të cilat ishin fshehur në një kamion të nisur nga Kosta Rika dhe i ngarkuar me mbetje automjetesh të destinuar për skrap.

Droga ishte sistemuar në pako 1.2 kilogramëshe të fshehura në një kuti të madhe metalike, të vendosura mes mbetjeve, që peshonin më shumë se 19 ton që mbërritën me kontejner në portin e Malagas.

Në pranga kanë përfunduar 8 persona, disa prej të cilëve të njohur për përfshirje në krimin e organizuar dhe trafikun e drogës.

Sipas mediave spanjolle dy prej tyre ishin dënuar në të kaluarën për ngjarje të ngjashme në portin spanjoll të Algeciras në vitin 2018.

Policia spanjolle nisi hetimet pasi mori informacione se një bandë kriminale fuste sasi të mëdha kokaine në Spanjë të fshehura në sende të destinuara për skrap përmes një kompanie eksportuese në Kosta Rika, e cila ishte hetuar në vitet e mëparshme për lidhje me trafikun drogës.

Klan News