Këtë javë në Klan Plus transmetohet episodi i tretë i “Uniko”, emisioni i cili guxon duke shkuar përtej deklaratave zyrtare mbi krimet, që kanë tronditur Shqipërinë, shumë prej të cilave janë ende të pazgjidhura.

I ftuar në programin “Jo vetëm modë” në Tv Klan ishte autori dhe drejtuesi i këtij emisioni, gazetari Spartak Koka, i cili nuk është aspak i ri në terrenin më misterioz të gazetarisë. Prej 10 vitesh i angazhuar me çështjet kriminale, siç ishte ajo e Lazaratit në vitin 2015, Koka vendosi të krijojë një format krejtësisht të dedikuar ngjarjeve kriminale.

Javën e kaluar, dëshmia e vajzës së Enkeleda Çapokut, e cila në Janar u vra nga kunati i saj Erdet Çapoku, zbuloi të dhëna të panjohura më parë mbi ndodhitë, të cilat i paraprinë krimit.

I pyetur nga prezantuesja, Orinda Huta nëse kishte marrë ndonjë telefonatë nga organet përgjegjëse për çështjen pas publikimit të dëshmisë, Spartak Koka u përgjigj:

“Zyrtare, nuk ka patur. Jozyrtare ka patur me idenë: “Shiko, ne s’kishim ç’ti bënim, s’ishte faji jonë se ata nuk merreshin vesh me njëri- tjetrin”.

Sipas Kokës, anashkalimi i dispozitave ligjore ishe ajo çfarë e çoi Enkeleda Çapokun drejt vrasjes nga dora e kunatit, i cili sipas ligjit do të duhej t’i ishte ndaluar të afrohej.

“Po të ishte zbatuar vetëm Kodi Penal, ajo grua do të ishte sot mes nesh, do ishte pranë familjes së saj”.

Në lidhje me profilin e gazetarisë që ka, për shumë e konsideruar e rrezikshme, Spartak Koka u shpreh se edhe në çështje të tilla, etika është mburoja më e mirë ndaj kërcënimeve.

“Herë pas here, është kjo dilema me veten nëse duhet apo jo ta vazhdoj, por unë nuk kam patur deri më sot asnjë kërcënim të mirëfilltë, pasi jam munduar të jem korrekt. Edhe atëherë kur kemi gabuar me informacione apo pista paraprake, kanë qenë të bazuara diku”./tvklan.al