Spartak Ngjela: Pushteti nuk mbahet me shpirt nëpër dhëmbë ( 18 Korrik 2002)

Spartak Ngjela: Pushteti nuk mbahet me shpirt nëpër dhëmbë ( 18 Korrik 2002)

Autori: Blendi Fevziu

22:56 18/07/2002

Opinion– Spartak Ngjela, i cili në vitin 2002 ka qenë sekretar i Marrëdhënieve me Publikun në Partinë Demokratike ka dhënë një intervistë për emisionin “Opinion”. Situata e Partisë Demokratike dhe e ashtuquajtura marrëveshja për Presidentin mes Sali Berishës dhe Fatos Nanos kanë qenë tema e diskutimit të emisionit realizuar më datë 18 Korrik të vitit 2002.

Gjatë intervistës përballë gazetarit Blendi Fevziu, Spartak Ngjela tha se Sali Berisha në Bruksel pranoi Presidentin konsensual dhe koha e tregoi se qe i sinqertë dhe serioz sepse kishte të bënte me perëndimin.

Sipas Ngjelës socialistët nuk lejoheshin ndërkombëtarisht të kishin një President të vetin sepse marzhi prej 84 deputetësh nuk ishte një përqindje reale që iu kishte takuar realisht nga zgjedhjet.

“Rëndom thuhet se në politikë s’ka moral, kjo është një çështje që sado ta diskutojmë nuk e zgjidhim dot, por megjithatë duhet të ketë seriozitet. Kjo është absolutisht e domosdoshme. PD nëpërmjet liderit të saj nuk u tërhoq për zgjedhjet e parakohshme  dhe nuk u tërhoq në pragun e zgjedhjes së Presidentit. Duhet të jemi më të vëmendshëm, PD është tërhequr në Bruksel. Pse u tërhoq? Sepse pranoi Presidentin konsensual”.

“Sali Berisha në Bruksel pranoi Presidentin konsensual dhe koha e tregoi se qe i sinqertë dhe serioz sepse ka të bëjë me perëndimin dhe integrimin e Shqipërisë në perëndim. Përgjithësisht gjithsecili kishte të drejtë të mendonte se Nano nuk do tërhiqej dhe nëse nuk do të tërhiqej ne do të shkonim në zgjedhje të parakohshme. Kjo ishte e padiskutueshme. Ende socialistët nuk e dinë që socialistëve nuk iu lejohej të kishin President. Ka nga ata segmente që nuk e dinë këtë”.

“Socialistët nuk lejohen as ndërkombëtarisht të kenë një President të vetin, sepse marzhi prej 84 deputetësh nuk është një përqindje reale që i ka takuar realisht nga zgjedhjet. Edhe Meta ka dhënë dorëheqjen për këtë gjë, që të dominojë fryma oksidentale perëndimore në PS. Akuzonte  Nanon se nuk lejonte integrimin dhe për këtë arsye dha dorëheqjen. Ne jemi gati të bëjmë zgjedhje të parakohshme dhe që nesër. Edhe nëse i bëjmë 10 herë, 10 herë i fitojmë”.

“Ata kanë në dorë t’i bëjnë zgjedhjet që nesër, por nuk fitojnë, është shumë i thjeshtë problemi. Socialistët kanë në dorë t’i bëjnë zgjedhjet që nesër, por nuk fitojnë. Njerëzit nuk janë kaq të pa ditur në Shqipëri saqë të mos kuptojnë se gjithë kjo tollovi është se ata nuk e kuptojnë që nuk mbahet me shpirt nëpër dhëmbë një pushtet”, tha Ngjela. /tvklan.al

Të ngjashme

Autori: Blendi Fevziu

22:56 18/07/2002
UKT