Spasovski: Zgjedhjet duhet të mbahen më 5 Korrik



Spasovski: Zgjedhjet duhet të mbahen më 5 Korrik

20:02 31/05/2020

VMRO del kundër procesit në kohë pandemie

Kryeministri teknik Oliver Spasovski gjatë takimit me qytetarët e Kumanovës, theksoi se 5 Korriku duhet të jetë data e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Sipas tij pas vazhdimit 14 ditor të gjendjes së jashtëzakonshme, do të rrjedhin 22 ditë afat ligjor deri në ditën e zgjedhjeve me 5 Korrik.

“Me fuqinë e ligjit zgjedhjet janë 22 ditë pas përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme. Ky është opsioni i vetëm i caktuar me ligj dhe nuk ekziston asnjë mekanizëm tjetër juridik.  Në qoftë se numërohet saktë kjo do të thotë se zgjedhjet do të jenë më 5 Korrik, çfarë do qoftë prolongimi nuk është i mundur, as nga aspekti juridik, as nga ai i drejtësisë”.

Sipas VMRO – DPMNE është e papëlqyeshme të flitet për datë të zgjedhjeve në kushte kur vendi ka numër rekord të të infektuarve, fillim të valës së dytë të koronavirusit dhe në baza ditore ka disa të vdekur.

“OIiver Spasovski bëri thirrje për zgjedhje më 5 Korrik në ditët kur do të jetë piku i epidemisë me mbi 50 të infektuar. Kjo do të thotë se Spasovskin dhe Zaev janë drejtpërdrejt përgjegjës për çdo të infektuar dhe të vdekur për shkak të infeksionit me Covid-19, sepse ata nuk e dinë çfarë është mbrojtja e shëndetit, mendjen e kanë te karriget”.

Nga BDI thonë se ngelen me qëndrimin se për datën e zgjedhjeve duhet konsensus .

“Në parim kemi thënë se data duhet të miratohet me konsensus. BDI vazhdon ta mbrojë këtë qëndrim. Do t’i ndjekim rekomandimet e epidemiologëve, ndërsa opinioni do të informohet për qëndrimin e fundit të partisë ose nëse ka takim të liderëve, theksoi Bekteshi, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve në lidhje me deklaratën e Spasovskit se zgjedhjet duhet të mbahen më 5 Korrik”.

Kreu i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, theksoi se duhet sa më shpejt të vendoset për të vazhduar afatet zgjedhore për mbajtjen e zgjedhjeve.

“Tani duhet një zgjidhje, ashtu që qytetarët të kenë të zgjedhurit e tyre në institucionet relevante të vendit. Ne me kompromis vendosëm prolongimin e procesit zgjedhor. Tash duhet të marrim një vendim tjetër të rëndësishëm në drejtim të vazhdimit të procesit zgjedhor”, theksoi Kasami.

Ndërkaq, numri i të infektuarve me Covid-19 në Maqedoninë e Veriut po rritet në vazhdimësi. Gjatë 24 orëve të fundit, janë shënuar 62 raste të reja  dhe dy viktima.

Tv Klan




Të ngjashme