Sot programi “Jo vetëm modë”, në Tv Klan solli një speciale për bashkëjetesën në Tiranë. Tirana 100 vjet kryeqytet solli në vëmendje bashkëjetesën si një prej vlerave kryesore të vendasve.

Nënkryetarja e Bashkisë Tiranë, Anuela Ristani u shpreh se nëse nuk do ishte kjo situatë izolimi si pasojë e virusit, ajo që do përcillej këtë muaj do ishte dhënia e rëndësisë edhe faktit që ne jemi nga fe apo nga besime të ndryshme dhe me njëri-tjetrin ekziston një harmoni e madhe.

Gjithashtu do sillnin në vëmendje edhe faktin që ka njerëz me aftësi të ndryshe, por që janë pjesë e komunitetit tonë dhe që kontribuojnë në shoqëri.

Orinda Huta: Jemi në muajin e bashkëjetesës sepse kështu është dashur të quhej në 100 vjetorin, pra ishte muaji Mars, por ndërkohë kemi kaluar një situatë jo fort të mirë gjatë këtij muaji.

Anuela Ristani: Duhet të bashkëjetojmë në këto kushte të reja, duhet të bashkëjetojmë me njëri tjetrin dhe ta njohim edhe më mirë njëri-tjetrin në këtë lloj mënyre.

Orinda Huta: Në qoftë se nuk do të na ndodhte kjo gjëmë, që na ndodhi këto kohë, çfarë do të kishim për bashkëjetesën këtë muaj?

Anuela Ristani: Donim t’i jepnim jehonë edhe faktit që ne jemi nga fe apo nga besime të ndryshme dhe harmonia që kemi mes njëri-tjetrit dhe fakti që në 20 probleme që kemi, kjo nuk është një prej tyre. Donim gjithashtu të sillnim në vëmendje edhe faktin që ka njerëz me aftësi të ndryshe, por që janë pjesë e komunitetit tonë dhe që kontribuojnë po aq fort, në mos edhe më fort. Ndjeshmërinë që duhet të kemi gjithsecili, për t’i përfshirë kategoritë e ndryshme të margjinalizuara në shoqëri./tvklan.al