Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Speciale – Kryeministri Ilir Meta ka zhvilluar një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kryeministri Meta dhe delegacioni shqiptar kryen takime me krerët më të lartë të SHBA. Takimet e para Meta i nisi me kreun e FMN-së dhe me drejtorin e Bankës Botërore. Më pas për kryeministrin Meta ka nisur vargu i takimeve të njëpasnjëshme politike, fillimisht në Kongresin Amerikan, me kryetarin e Komisionit të Jashtëm Henry Hude, ku biseda është ndalur në situatën në rajon, procesin elektoral në Shqipëri dhe luftën kundër korrupsionit.

Kryeministri Meta lë Kongresin Amerikan për të hyrë në Shtëpinë e Bardhë, ku në zyrën e këshillit kombëtar të sigurimit është pritur nga këshilltarja Kondolesa Rice, në mes të bisedës mes delegacionit shqiptar dhe zonjës Rice është hapur dera dhe në zyrë ka hyrë papritur vetë presidenti i SHBA Xhorxh Bush. Ju keni fituar vota më shumë se unë, i është drejtuar Bushi Metës, duke qeshur dhe duke shtuar më pas, se vlerësonte lidershipin e tij dhe rolin e Shqipërisë në stabilitetin e rajonit. Biseda ka zgjatur plot 20 minuta.

Kryeministri Meta nuk ka pasur kohë ta marrë veten nga ky kulm që arriti vizita e tij. Pas takimit me Bush dhe Rice, ai është pritur po në Shtëpinë e Bardhë nga zv/presidenti Dick Cheney. Më pas për rreth 30 minuta Meta takohet me Sekretarin Amerikan të Shtetit Pauell. Tre orë para largimit në aeroport Meta vizitoi Zërin e Amerikës ku dha disa intervista. Më pas delegacioni shqiptarë ka marrë rrugën e kthimit të kënaqur nga kjo vizitë e suksesshme në Amerikë./tvklan.al

Gazetar – Armand Shkullaku