Orët e vështira në terren për t’i sjellë dritë kryeqytetit janë kthyer në ditën e falënderimeve. Specialistë dhe inxhinierë të prodhimit, transmetimit dhe shpërndarjes kanë marrë shpërblimin për punën e mirë nga Ministri i Energjetikës dhe drejtori i korporatës. Përveç vlerësimeve këtë herë ka zënë vend edhe shpërblimi material.

Përveç kësaj ministri i energjetikës ka garantuar një vit më të mirë porsa i përket furnizimit me energji. Fierza sipas tij është në kuotat 284 metra duke e siguruar një rezervë prej 1 miliard kilovat orësh. Mesazhe ngrohëse vijnë për vitin 2003.

Madje ministri nuk ka harruar të përmend se energjia është mall që duhet paguar.

Viktor Doda: Ne kemi një rezervë energjetike të garantuar më mirë se çdo vit tjetër sot në kaskadën e lumit Drin, duke kombinuar importin për gjithë vitin 2003 dhe prodhimin që ne mos të kemi shqetësime dhe të minimizojmë maksimalisht problemet që kemi patur gjatë vitit 2002 për furnizimin e konsumatorit.

Mos kujtoni se ministri dhe sot do të ketë një darkë të qetë në familje, mendja e tij është gjetiu.

Gazetarja: Ku do e kaloni ju Vitin e Ri?

Viktor Doda: Unë vitin e ri do e kaloj në Tiranë dhe gjithmonë dhe permanent duke u lidhur me strukturat e KESH-it. Para defektit të autos mua më ikin dritat si gjithë Tiranës dy orë dhe me defektin e autos së Tiranës dritat më ikin nga 2 orë deri në 6 orë./tvklan.al