Në një ndeshje spektakolare me shumë ritëm dhe raste, Partizani arriti të marrë një pikë në fushën e Teutës. Barazimin e siguroi dhe e ruajti me thonj ekipi i Skënder Gegës, pasi ai i Bledi Shkëmbit ishte superior me lojë, por hasi veçanërisht në pjesën e dytë në një mur betoni para portës së Partizanit, që quhet Alban Hoxha.

Vetëm në 10 minutat e fundit, numri një i të kuqve ka shmangur të paktën 3 gola të sigurt. Të kuqtë vuajtën që në fillim kur Gashi në minutën e 8 shënoi golin për Teutën. Ndeshja ishte e luftuar, por barazimi erdhi në minutën e ’59.

45 minutëshi i dytë u luajt me ritëm të lartë kur raste patën të dy skuadrat, por vendasit u treguan më të zotë ndonëse të pafat. Për t’u vlerësuar është edhe portieri Hidi që ishte në lartësinë e duhur për një sfidë të tillë. Thuajse i gjithë takimi u shoqërua nga shiu që sigurisht i uli ngjyrat e spektaklit që dhuruan skuadrat.

Më herët Tirana arriti fitoren e parë që prej 9 javësh. Bardheblutë, ashtu si herën e fundit, gjetën sërish suksesin ndaj Kastriotit. Fitorja i shërben më së shumti Tiranës për frymëmarrje pas 5 humbjesh dhe 3 barazimesh. Në Selman Stërmasi, 3 pikëshi u realizua falë 4 golave.

Që në pjesën e parë rezultatin e zhbllokoi Hasani me 11-metërsh. Edhe goli i dytë erdhi në pjesën e parë nga Greza. Skuadra e Ardian Memës realizoi edhe dy herë të tjera në 15 minutat e fundit të takimit me Ngoo dhe Sentamu.

Tv Klan