Ishulli i bukur grek i Lesbosit është vendi ideal për të parë spektaklin e migrimit pranveror të zogjve të Evropës.
Flamingot si edhe shpendët me trup të bardhë dhe krahë të zinj të quajtur “Black-winged stilt”, shëtisin në një kënetë me ujë të kripur, duke kërkuar ushqim.
Vizitorët i shikojnë nga larg me dylbi.
Ky lloj shpendi është një nga më shumë se 330 specie që mund të gjenden në kënetat e Kallonit dhe pjesë të tjera të Lesbosit duke e bërë ishullin një vend të rëndësishëm për vëzhguesit e shpendëve nga e gjithë bota që prej viteve 1990.
Eleni Galinou, shkencëtare vendase për mjedisin dhe udhërrëfyese për shpendët thotë se Lesbosi ka shumë habitate, duke u ofruar vizitorëve një larmishmëri, por vëmendja më e madhe është tek zogjtë shtegtarë në pranverë.
“Ky është sezoni kur të gjithë duan të jenë në ishull. Kjo për dy arsye. Njëra është se kemi zogj shumë të veçantë që shumohen, si Cinereous Bunting ose Kruper’s Nuthatch, Masked Shrike, Cretzschmar’s Bunting, dhe shumë të tjerë që gjenden në zonën e Mesdheut Lindor, ose në Ballkan ose vetëm në Lesbos. Arsyeja tjetër është se vëzhguesit e zogjve kanë mundësinë të monitorojnë migrimin e zogjve evropianë ndërsa kthehen nga Afrika”, tha Eleni Galinou, shkencëtare për mjedisin.
Moti gjithmonë luan një rol në spektaklin e migrimit. Me qiell të kthjellët dhe kushte të mira, zogjtë mund të fluturojnë mbi ishull dhe vëzhguesit shikojnë zogjtë evropianë dhe ata bregdetarë. Nëse ka erëra ose stuhi, nuk ofrohet e njëjta pamje. Sidoqoftë, vëzhgimi i zogjve në Lesbos është një përvojë fantastike.
Nga shpatet e malit Olimp, te lumenjtë dhe liqenet e ishullit, te fshatrat piktoreske të peshkimit përgjatë plazheve të bukura, ka peizazhe që kanë frymëzuar artistë për shumë vite.
“Shumë prej nesh kanë dashur gjithmonë të vijnë në Lesbos, sepse është i njohur për zogjtë e tij shtegtarë”, tha Ian Wordey, vizitor.
I vendosur në udhëkryqin e Afrikës, Evropës dhe Azisë, Lesbosi u jep vëzhguesve të zogjve mundësinë të hasin rreth 200 specie migratore evropiane, deri tek pelikanët, ndërsa ata fluturojnë përsëri nga Afrika drejt veriut përmes Detit Mesdhe lindor.
“Lesbosi është një ishull i madh, ka shumë zona për të vizituar, ka shumë habitate të ndryshme”, tha Eleni Galinou, shkencëtare për mjedisin.
Ky fenomen është si një moment relaksi që ofron mirëqenie mendore.
“Është relaksuese. Kur kërkon zogj dhe je jashtë duke parë jetën e egër, në fshat. Është emocionuese kur shikon një zog të ri”, tha Maureen Greer, vizitor.
“Duhet të jesh shumë i duruar. Nuk mund të thuash që patjetër do të shohësh diçka diku. Shkon atje dhe jeta është e egër. Ndonjëherë je me fat, dhe kur je me fat kjo është shumë mire”, tha Ian Wordey, vizitor.
Veçanërisht muaj Maj, mbetet koha e preferuar për vëzhguesit e shpendëve për të vizituar ishullin. Me zonat ligatinore që mbajnë ujë, numri i shpendëve të egër është në nivelin e tij më të lartë. Në këtë periudhë të vitit turistët dhe kureshtarët mund të shikojnë Bilbilin e Mëllenjës apo edhe Gurëkuqe me fytyrë të bardhë.
Klan News