I ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan, ka qenë spikeri i lajmeve Renaldo Salianji i cili ka treguar se puna e parë që ka punuar, ka qenë kamerier dhe më pas picier. Ai tregon se kur ishte kamerier të gjitha bakshishet i fuste tek një derrkuc dhe pas disa muajsh, kur nuk nxinte më Lekë, e hapi dhe kishte mbledhur rreth 1 milion e pak Lekë.

Rudina Magjistari: Si ka nisur historia jote në marrëdhënie me punën?

Renaldo Salianji: Puna ime e parë e vërtetë që punova një muaj dhe mora rrogë në fund të muajit, ka qenë kamarier, kisha punuar më përpara se të filloja universitetin, por ishin gjëra të vogla që ndihmoja shokët e mi më të rritur kur punonin kamarierë nëpër evente. Erdha në Tiranë, fillova shkollën dhe kuptova që kisha pak kohë për të punuar. Nuk është se e bëra për çështje Lekësh, studentëve gjithmonë i duhen Lekët, por isha me nota të mira, kisha bursë, merrja para nga universiteti dhe mund t’ia dilja me ato pak para që merrja, dhe fillova punën e parë si kamerier. 

Rudina Magjistari: Pse fillove të punojë, ndërkohë që të ardhurat i kishe?

Renaldo Salianji: Kur shkëputesh nga familja dhe fillon shkollën, kur vjen në një qytet tjetër nga një qytet i vogël siç jam unë, ti do që t’i tregosh familjes që je i pavarur, që unë tani jam 18 vjeç, nuk dua Lekë nga ju, madje kur kthehesha ju çoja edhe ndonjë dhuratë familjes vetëm për të treguar që je i rritur dhe mund t’ia dalësh vetë.

Rudina Magjistari: E mban mend rrogën e parë?

Renaldo Salianji: 150 mijë Lekë të vjetra rroga, por kamarierët kanë bakshishet dhe unë kisha marrë një derrkuc dhe futa të gjitha bakshishet derisa u mbush plot dhe e hapa.

Rudina Magjistari: Sa të ishin mbledhur?

Renaldo Salianji: Ishin mbledhur deri tek 1 milion e pak tek derrkuci.

Rudina Magjistari: Shi, shi, për sa kohë?

Renaldo Salianji: Po për 5-6 muaj.

Rudina Magjistari: Po ia vlen puna e kamarierit!

Renaldo Salianji: Dhe pas punës si kamarier, pastaj kjo ishte gjatë kohës që isha në shkollë, fillova të bëj dy punë kur mbarova shkollën gjatë verës. Punoja dhe kamarier paradite dhe turni i natës në një piceri, bëja pica. Fillova fillimisht për të parë si bëheshin picat edhe pastaj kuptova që kisha aftësinë për të bërë pica dhe vazhdova një tre muaj derisa filloi shkolla prapë. /tvklan.al