Spikerja e Tv Klan: Situata nga koronavirusi më frikëson, nuk dua të mendoj që…

Spikerja e Tv Klan: Situata nga koronavirusi më frikëson, nuk dua të mendoj që…

21:35 28/03/2020

Spikerja e lajmeve të edicionit informativ të Tv Klan, Anjola Hamzaj, ka qenë e ftuar në emisionin “Rudina” pasditen e kësaj të shtune, ku foli për situatën e krijuar nga koronavirusi COVID-19, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën.

Anjolës i duhet të japë çdo ditë lajmet duke treguar profesionalizëm dhe duke shmangur emocionet, por megjithatë spikerja bukuroshe shprehet se nuk mund të qëndrojë indiferente ndaj kësaj situate.

Gjendjen e krijuar nga kjo pandemi, Anjola thotë se e përjeton me frikë. Ajo shpreson që kjo situatë të kalojë sa më shpejt dhe pa pasoja të rënda.

Rudina Magjistari: Si është për ty të japësh lajmet çdo ditë, sepse tani edhe edicioni i lajmeve si të gjitha programet televizive duket se kanë shmangur çdo lloj teme tjetër edhe përqëndruar tek aktualiteti që është ajo gjëja që na intereson të gjithëve, sikur s’mund të marri dot vëmendjen asnjëlloj lajmi tjetër. Kështu që edhe edicionet e lajmeve janë të mbushura me informacione rreth ngjarjeve të ditës në lidhje me koronavirusin. Ti si e përjeton këtë situatë? Edhe vetë personalisht, a të tremb ndopak?

Anjola Hamzaj: Sigurisht. Sado të përpiqesh të shkëputesh nga ana emocionale, është shpesh e vështirë kur bëhet fjalë për pandemi të tilla, siç ishte situata e tërmetit. Vdekja gjithmonë e trishton njeriun, humbja e jetëve njerëzore, kështu që është absolutisht e pamundur të shkëputesh totalisht. Ti arrin të japësh një edicion informativ me të gjithë performancën që duhet, me gjithë profesionalizmin që të kërkohet, por kjo nuk do të thotë që ti je e shkëputur. Mbase dhe mëmësia më ka bërë më të ndjeshme. Ndihem më e ndjeshme pas lindjes dhe i përjetoj shumë më shumë gjërat. Por, kjo më ka krijuar panik. Të jem e sinqertë, është situatë që më frikëson. Sepse s’dua të mendoj që të arrijmë edhe ne siç ka arritur Italia apo Spanja sepse dhe Italia ndihej e imunizuar, edhe Spanja. Asnjë nuk mendonte që do të arrinin në 700 viktima në ditë, më shumë se 700 viktima në ditë. Është pak e rëndë si situatë. Më frikëson absolutisht. Unë shpresoj shumë sepse masat në fakt tek ne janë marrë më paraprakisht se sa Italia. Qeveria arriti të kuptonte që duhen të merren të gjitha masat sepse mund të gjendesh totalisht i papërgatitur. Dhe është një situatë e cila del jashtë kontrollit shumë shpejt. Duke qenë se nuk e ka përballuar një sistem shëndetësor i fuqishëm siç është në Itali apo në Spanjë, apo në vende të tjera që janë shumë më të zhvilluara dhe me struktura shumë më të avancuara se ne, nuk e imagjinoj dot se ç’mund të ndodhte tek ne. Dhe kjo absolutisht që më frikëson. /tvklan.al

Të ngjashme

Grupi

Kallezo