Spiro Duni rikthen komedinë “Këngëtarja Tullace”

Spiro Duni rikthen komedinë “Këngëtarja Tullace”

19:45 17/09/2019

Premierë në festivalin “De Fest Apolonia”

Një komedi shumë interesante do të hapë Festivalin “De Fest Apolonia”, në qytetin e Fierit. Bëhet fjalë pikërisht për shfaqjen “Këngëtarja Tullace”, një komedi që është vënë edhe më herët në skenën e Teatrit Kombëtar nga regjisori Spiro Duni, por ajo do të rivihet si premiere në këtë festival pasi koncepti, realizimi dhe aktorët janë të ndryshëm.

“Këngëtarja Tullace” është një komedi me plot humor, por që në fund të bën të reflektosh në lidhje me mesazhet që reflekton. Komedia ndërtohet në 11 skena dhe ka të bëjë me 6 personazhe. Zoti dhe zonja Smith të zotët e shtëpisë, zoti dhe zonja Martin mysafirët e tyre, Maria shërbëtorja e shtëpisë dhe zjarrfikësi. Gjashtë personazhet e “Këngëtares tullace” interpretohen nga Fatmir Xhelili, Miola Sitaj, Astrit Hasani, Flaura Kureta, Margent Caushi dhe Doriana Çaushi.

Për të folur për këtë shfaqje por edhe për festivalin që organizohet në Fier ishin të ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan regjisori Spiro Duni dhe aktorët Doriana Çaushi dhe  Margent Caushi.

“Është hera e dytë që unë punoj me trupën e Fierit, kam punuar para tre vitesh një komedi të Vangjel Kozmait “Horoskopi Babilonas”, pati sukses, u prit shumë mirë. Është një spektator i ngrohtë, shumë i ngrohtë, por mbi të gjitha është ky grup aktorësh super profesionistë në mentalitet dhe talent. Është një festival që do të zgjasë 6 ditë. Shfaqja që unë kisha ndërtuar para 10 vjetësh, me mjeshtrin Roland Trebicka, Bujar Asqeriun dhe të tjerë ishte tjetër gjë drejt absurdit”, tha Duni.

“Në fillim kur mora veprën nuk e kuptova, thash çfarë po ndodh këtu. Edhe rolin që kam, zjarrfikësin e konceptova ndryshe, por profesori ma solli komplet ndryshe dhe më pëlqeu shumë. E ka sjellë në disa ujëra që s’ma merrte mendja kurrë, këtu qëndron edhe mjeshtëria e Spiro Dunit”, tha Caushi.

“Për mua është projekti i tretë që punoj me Spiro Dunin, është fat të jesh pranë tij sepse ne kemi nevojë të mësojmë nga më të rriturit. Unë jam Meri në këtë shfaqje, shërbëtorja, por vetëm shërbëtore nuk jam, jam e paskrupullt”, tha Çaushi./tvklan.al

Delta
LAJMET

Të ngjashme

AZHBR
UKT
UKT