Ministrja e Shtetit për Marrëdhënien me Parlamentin, Elisa Spiropali, në një lidhje direkte në “Opinion” në Tv Klan ka thënë se nuk do të ketë një shans i dytë për ndryshime në Kodin Zgjedhor.

Deputetja e PS u shpreh se i janë dhënë të gjitha shanset opozitës për konsensus, por pala tjetër sipas saj nuk ka rënë dakord.

“Ne i kemi dhënë të gjitha shanset, kemi konsumuar të gjithë kohën dhe kemi harxhuar çdo kohë për të gjetur kompromis dhe me opozitën jashtëparlamentare”, u shpreh Spiropali.

E pyetur për kthimin e ligjit nga Presidenti, Spiropali tha se Ilir Meta e ka quajtur Kuvendin ilegjitim.

Nuk është hera e parë që Presidenti kthen symbyllur ligje e Kode. Presidenti e ka quajtur ilegjitim Kuvendin. Ajo që nuk po ndodh është që ai të jetë garant i republikës dhe uniteti i popullit”, shtoi ajo.

Më tej ministrja komentoi dhe deklaratat e ambasadave të huaja në vend, të cilat kanë shprehur keqardhjen për ndryshimet e fundit në Kod. Për Spiropalin këto deklarata janë normale, pasi ambasadat këto qëndime kanë mbajtur në raste krizash./tvklan.al