Mazhoranca ka garantuar partnerët se Komisioni Antikorrupsion i ngritur në parlament nuk ka për qëllim të prekë punën e institucioneve të pavarura.

Në emër të shumicës, Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali gjatë një takimi me krerët e institucioneve të pavarura dhe ambasadorët e vendeve më të rëndësishme ftoi opozitën që të bëhet pjesë e këtij procesi.

“Nuk do të prekim e ndërhyjmë tek institucionet e pavarura. Opozita do të marrë vendin e saj në këto komisione”, tha Spiropali.

Shtetet e Bashkuara, BE-ja dhe Britania e Madhe ndonëse e cilësuan të rëndësishëm rolin e Komisionit Antikorrupsion për realizimin e reformave, njëzëri thanë se s’mund të ketë kthim pas të Reformës në Drejtësi. Ambasadori i BE-së shkoi edhe më tej kur i kërkoi mazhorancës të respektojë vendimet e Gjykatës kushtetuese.

“Vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të respektohen siç janë dhe kjo është thelbësore në një shtet demokratik. Për Reformën në Drejtësi parlamenti mund të lozë një rol kyç për mos kthimin pas të reformave, por për të implementuar më tej, në harmoni reformat me të gjitha detyrimet që Shqipëria ka marrë në rrugën e BE-së. Komisioni i Antikorrupsionit që ju keni themeluar tashmë është shumë i rëndësishëm në këtë drejtim”, tha ai.

Mbështesim përpjekjet për rritjen e bashkëpunimit e pavarësisë së këtyre institucioneve. Duhet të forcojnë mbikëqyrjen dhe llogaridhënien dhe të veprojnë me integritet”, tha Kathryn Hammon, zëvendës drejtuese e komanduar e misionit të SHBA-ve.

“Llogaridhënia e strukturave qeveritare është shumë e rëndësishme për progresin e Shqipërisë. Ka nevojë për bashkëpunim të fuqishëm mes institucioneve të pavarura me parlamentin që të krijohet balanca në qeverisje”, tha Abbot.

Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela dhe kreu i KLSH-së teksa e cilësuan delikat procesin e nisur nga Kuvendi përmes Komisionit Antikorrupsion, kërkuan më shumë qartësi, si dhe të ndiqen praktikat më të mira të BE-së.

Tv Klan