“Të nxish vendin tënd nuk është vlerë”

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, tha se ne shpesh i biem shumë në qafë Shqipërisë duke thënë se “Shqipëria nuk bëhet”.

Në intervistën e saj tek “Rudina”, në Tv Klan, Spiropali tha se “të nxish vendin tënd nuk është vlerë, përkundrazi…tregon se sa pak vlerë ke ti, individualisht.”

Elisa Spiropali: Unë besoj që Shqipëria po nxjerr në pah dhe po lustron të gjitha vlerat e veta. Jo vetëm qendrat urbane dhe ne kemi vendosur shumë fokus tek “Rilindja Urbane”, por edhe fshatrat që tashmë po rilindin. Po kthehen tek identiteti, po pastrojnë ato myshqet që mund të kishin zënë. Ne shpesh nuk e dimë se sa bukuri dhe trashëgimi kulturore të pasur dhe sa histori, art dhe kulturë ka Shqipëria brenda. Vetëm tani të gjitha këto vlera besoj po zgjohen. Është bukuri t’i shohësh.

Rudina: Uroj kohë më të bukura pa diskutim, për Shqipërinë por edhe për të gjithë, sepse pandemia ishte e nivelit botëror dhe e pashmangshme për askënd.

Elisa Spiropali: Diçka që ne e bëjmë rëndom dhe besoj na dëmton. Ne shpesh i biem në qafë shumë Shqipërisë. Pra themi ‘Shqipëria nuk bëhet’, ‘ne jemi vendi më i prapambetur’, ‘njerëzit janë të tillë e të atillë’, nuk është e vërtetë. Jo vetëm në raportet formale të institucioneve që masin zhvillimin e një vendi që Shqipëria ku e ku nuk rezulton një vend i prapambetur, por pa dyshim një vend në zhvillim, me të ardhura mesatare etj, por edhe për sa i përket sjelljes, unë mendoj se Shqipëria ka bërë shumë rrugë drejt progresit dhe zhvillimit, është shumë e bukur. Ka shumë për të ofruar. Njerëzit, të huajt kur vijnë këtu mahniten në fakt nga Shqipëria. Po të shikosh p.sh. ambasadorët që vijnë në Shqipëri, vijnë duke qarë dhe ikin duke qarë. Por nuk u iket. Është një vend që klimën, diellin, ushqimin, marrëdhëniet mes njerëzve, ngrohtësinë e raporteve njerëzore e ka të madhe, dhe besoj se është mundësia që ne të nxjerrim në pah më të mirën dhe të bëjmë shembuj të mirë, të japim shembuj të mirë, të ofrojmë modele, të shikojmë se si mund të zhvillohemi. Çdo gjë tjetër është banalitet pastaj mendoj, të nxish vendin tënd nuk është vlerë, përkundrazi…tregon se sa pak vlerë ke ti, individualisht. /tvklan.al