Me ftesë të Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, sot po zhvillon një vizitë zyrtare në RMV.

Gjatë takimit me Gashin, Kryetarja Spiropali nënvizoi se “Shqipëria është për fuqizimin e marrëdhënieve të shkëlqyera dypalëshe me RMV, si një shembull bashkëpunimi në rajon e më gjerë. Shqipëria mbështet përspektivën europiane të RMV sepse anëtarësimi në BE është prioritet strategjik i dy vendeve tona.  Si partnerë në NATO, do të vijojmë të bashkëpunojmë e kontribuojmë për sigurinë e stabilitetin në rajon e më gjerë.  Ne mbështesim përfaqësimin e drejtë e proporcional të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, nxisim kontributin e tyre si një faktor demokratizimi, zhvillimi, integrimi euroatlantik dhe stabiliteti dhe, bashkë me maqedonasit në Shqipëri, rolin si ura lidhëse, miqësie e bashkëpunimi mes dy vendeve tona. Presim ndryshimet kushtetuese, ende të paarritura, të  realizohen. Shqipëria dhe RMV-ja do të vijojnë të jenë pjesë aktive në nismat rajonale, si Fondi i Ballkanit Perëndimor, Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, Procesi i Brdo-Brijunit, Procesi i Berlinit, RYCO, BSEC, NAI, MARRI etj. Intensifikimi i  marrëdhënieve parlamentare mes dy Kuvendeve do t’i shërbejë fuqizimit të bashkëpunimit politik, ekonomik e tregtar dypalësh dhe miqësisë mes popujve tanë”.

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, vlerësoi bashkëpunimin e shkëlqyer mes dy vendeve dhe nënvizoi se Shqipëria ka mbështetur vazhdimisht Maqedoninë e Veriut dhe është i vetmi vend fqinj me të cilin nuk kemi probleme.

“Bashkëpunimi na e bën më të lehtë rrugëtimin drejt BE. Sot hapëm dyert për rritjen e bashkëpunimit mes dy Kuvendeve në të gjitha nivelet, mes komisioneve e deputetëve”.

Bashkëpunimi parlamentar do të nxisë bashkëpunimin dypalësh politik, ekonomik, tregtar, energjetik, infrastrukturor, arsimor, kulturor etj./tvklan.al