Përfundon vitin e ardhshëm, investim 19.2 mln Euro

Vitin e ardhshëm Spitali i ri i Sëmundjeve të Brendshme do të jetë funksional. Investimi përllogaritet në 19.2 milionë Euro, ku përfshihet dhe vlera e pajisjeve të reja mjekësore.

“Afati i përfundimit të spitalit është Shtator i vitit 2021. Ne kemi ambicie ta përfundojmë përpara afatit. Janë parashikuar për vitin që vjen 5 milionë Euro nga buxheti i shtetit”, u shpreh Ministrja Manastirliu.

Spitali 7-katësh do të ketë 271 shtretër dhe në të do të integrohen disa shërbime që aktualisht ndodhen në godina të tjera, ndërsa do të ketë dhe dy ura lidhëse njëra prej të cilave me Urgjencën Mjekësore.

Pas përfundimit të këtij investimi, Spitali aktual i Sëmundjeve të Brendshme, i njohur dhe si 6-katëshi, do të dalë jashtë funksionit.

Një tjetër investim që është në proces në QSUT është dhe ndërtimi i Spitalit të ri të Pediatrisë, ndërsa ministrja Manastirliu lajmëron se është duke u siguruar nga Banka Botërore dhe fondi për ndërhyrjen në Spitalin Infektiv.

Kryeministri iu jep përgjigje akuzave të opozitës dhe thotë se në 7 vite të qeverisjes së tij buxheti i shëndetësisë është rritur dhe dëshmia më qartë për investimet në këtë sektor është pikërisht QSUT.

Tv Klan