Filipçe: 80% e viktimave nuk kishin marrë dozat

Personat e pavaksinuar mbeten problemi kryesor në betejën me Covid-19. Mbi 80% e pacientëve janë persona të pavaksinuar. Por në mesin e personave që kanë ndërruar jetë, ka edhe persona që kanë qenë të vaksinuar. Pse kjo po ndodhë, e shpjegoi Ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.

“Ne saktë e dimë se si mjekohen të gjithë pacientët. Dhe të gjithë mjekohen sipas protokolleve adekuate me ilaçet më moderne. Nuk ka mungesë të asnjë ilaçi. Ne jemi shteti i vetëm në rajon që i ka anti-trupat nga produkti origjinal që e fituam nga Banka Botërore. Numri më i madh i pacientëve në spitalet janë të pavaksinuar dhe ky është problemi. Mbi 80%. Rreth 9% nga personat e vdekur janë të vaksinuar, por janë pacientë që me të vërtetë kanë pasur gjendje të rëndë dhe sëmundje tjera serioze. E edhe pse janë mjekuar në standarde të larta, atyre nuk mund t’iu ndihmohet. Vaksina në nivel serioz e ul vdekjen dhe kjo është e dëshmuar”, tha Filipçe.

Filipçe edhe një herë bëri apel deri tek qytetarët që të vaksinohen sa më shpejt që është e mundur, e informoi se ka mjaftueshëm vaksina në dispozicion.

“Kemi mjaftueshëm doza të vaksinave. Në këtë moment kemi diku rreth 300 mijë doza në dispozicion. 115 mijë doza të vaksinës AstraZeneca, 110 mijë Pfizer dhe 100 mijë doza të Sinovac dhe e kemi këtë sasi të vazhdueshme prej 30, 40mijë dozave që vjen çdo të hënë nga kompania Pfizer. Ne patëm takim me ta para 1 jave, ku folëm për planet për vitin e ardhshëm. I dëgjuam informatat e tyre nga studimet klinike dhe rreth dozës së tretë sepse Pfizer është kompania që është para me këto studime. Të gjithë studimet shkojnë në drejtim të asaj se doza e tretë me shumë gjasa do të duhet, por presim që këto të dhëna të zyrtarizohen”, tha ai.

Sa i përket varianteve të reja që po paraqiten, për ministrin nuk janë surprizë. Ai shtoi se këto lloje të viruseve pësojnë mutacione të shumta, por ende nuk ka informacione të mjaftueshme që të bisedohet për mutacionet e fundit.

Filipçe ishte sot në Butel, ku u promovua objekti i ri i ambulantes. Banorët e kësaj komunë, tanimë do të kenë edhe një laborator në dispozicion, që nuk ishte kështu më parë. Objekti i ri në Butel është pjesë e strategjisë për renovimin dhe ndërtimin e objekteve të shëndetësisë primare. 

Klan Macedonia