Charter-a ambulancë për pacientët shqiptarë

Shtimi i rasteve dhe shtrimeve në spitalet Covid në vend dhe mosbesimi te sistemi shëndetësor shqiptar po i detyron shumë qytetarë të udhëtojnë në Turqi për trajtim mjekësor. Reklamat e agjencive turistike turke janë zëvendësuar me reklama spitalesh, që ofrojnë transportin nga qytete shqiptare deri në spital me çarter apo autoambulancë. Mjafton që të futesh në internet dhe sponsorizimet nxjerrin në ekran institucione shëndetësore në Turqi dhe kontaktet e tyre. Nëse i kontakton, të kthejnë përgjigje brenda pak minutave. Klan Plus komunikoi në telefon me spitalin Sante Plus në Stamboll.

Ofrojnë gjithashtu edhe shërbimin për të komunikuar në gjuhën shqipe. Autoritetet shqiptare ndjehen të lehtësuar mesa duket nga ky shërbim dhe kanë hequr çdo barrierë burokratike në plotësim dokumentacioni.

“Nuk ka asnjë problem për udhëtimin. Mund të dërgojmë ambulancën pa problem”.

Por sa harxhon një qytetar që kërkon të marrë trajtim në spitalin Sante Plus?

“Ne kemi vend të lirë në spital dhe mund ta marrim personin që po thoni. Qëndrimi në spital, trajtimi ditor me ilaçe dhe me analiza kushton 250 euro në ditë. Do t’ju nisim ambulancën avion ose në rrugë tokësore”.

Sa kushton?

“Nëse zgjidhni ambulancën avion kushton 9500 euro ndërsa ambulanca tokësore kushton 2500 euro”.

Sipas mjekëve në këtë spital kanë qenë të shumtë pacientët që kanë shkuar nga Shqipëria, mes tyre edhe persona të njohur. Janë qytetarë të cilët zgjedhin të paguajnë për të marrë trajtimin në pamundësi për tu shtruar në spitalet Covid në vendin tonë.

Klan Plus